Nisma e Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair për krijimin e një “SPAK-u” lokal kundër korrupsionit ka nxitur reagime nga Koalicioni VLEN.
Nga VLEN-i thonë se iniciativa duhet të shoqërohet me veprime konkrete dhe jo të mbetet vetëm deklarative, duke e cilësuar si përpjekje propagandistike.
Sipas tyre, nëse synohet vërtet transparencë dhe përgjegjësi, hetimet duhet të nisin nga vetë drejtuesit e BDI-së, për të dëshmuar se bëhet fjalë për proces serioz dhe të paanshëm ndaj të gjithë zyrtarëve, pa përjashtim.
“BDI në Çair shpall me bujë formimin e një “SPAK-u” lokal, sikur të kishte zbuluar “Amerikën”. Por, pyetja që lind menjëherë është: a do ta kapë ky SPAK edhe kryesinë e vet? Apo është vetëm një teatër i radhës për të mashtruar qytetarët? VLEN-i e përshëndet këtë “SPAK” të BDI-së dhe i sugjeron që, nëse vërtet është për veprim dhe jo për spektakël, të fillojë hetimet pikërisht nga këta emra. Punën e parë që duhet ta bëjë është të vendosë komunikim me SPAK-un e Shqipërisë dhe të kërkojë ekstradimin e Artan Grubit.”, – thanë nga Koalicioni VLEN.
Ditë më parë, Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair themeloi një “SPAK” lokal si mekanizëm kundër korrupsionit. Sipas njoftimit, kjo strukturë do të monitorojë ndërtimet pa leje dhe punën e organeve komunale për shkelje urbanistike.
BDI u bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo keqpërdorim të pushtetit.
tag_katrorimaqedoni_2