Vjeshta e rëndë e bisedimeve - Gazeta Express
string(28) "vjeshta-e-rende-e-bisedimeve"

Gazeta Express

10/08/2020 15:25

Vjeshta e rëndë e bisedimeve

Gazeta Express

10/08/2020 15:25

Atmosfera e sotme politike dhe mediatike në Serbi, është një faktor vështirësues për të arritur Marrëveshjen mes të Kosovës dhe Serbisë.

Shkruan: Blerim Shala

Lexo Edhe:

Interpretimi i historisë së re të këtyre anëve të Evropës, asaj të luftërave të njëpasnjëshme, pas zhbërjes së ish-Jugosllavisë  (në vitin 1991), në Serbinë e sotme, që njeh Aleksandar Vučićin si lider të pakontestueshëm, me një fuqi politike të paprecedent për decenie të tëra në këtë shtet, nuk dallon me asgjë prej periudhës kur kjo histori u pati krijuar, me një adresë shumë të qartë të përgjegjësisë për gjitha këto tragjedi të shkaktuara në Kroaci, në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe në Kosovë.

Nuk ka kurrfarë dyshimi që Serbia e atyre viteve, e udhëhequr nga Slobodan Milošević, ka autorësinë dhe përgjegjësinë supreme për të gjitha këto luftëra, të cilat në fund, detyruan edhe Aleancën Veri-Atlantike që të intervenojë ushtarakisht, me fushatën ajrore të pranverës së vitit 1999-të.

Megjithatë, Vučić dhe i gjithë establishmenti i sotëm i Serbisë, në dy vitet e fundit, kur së pari u shënua njëzet vjetori i fushatës së Paktit NATO dhe i përfundimit të luftës në Kosovë  (vitin e kaluar), dhe së dyti, kur ditë më parë u përkujtua 25 vjetori i Aksionit ’Stuhia’ të Armatës së Kroacisë kundër forcave serbe në Kroaci, përdorën një naracion dhe një interpretim historik që nuk pasqyron të vërtetën e mirëfilltë të këtyre dy ngjarjeve madhore në histori.

Vučić i kategorizon dhe klasifikon këto dy zhvillime kapitale historike, si padrejtësi të mëdha ndaj Serbisë dhe popullit të saj, duke mos u marrë fare me ’origjinën e katastrofës’  (titulli i veprës së Warren Zimmermanit, Ambasadorit të fundit të SHBA-së në RSFJ, ku ky shpjegon qartë se kush është përgjegjësi vendimtar për shkatërrimin e këtij shteti), e cila ka Beogradin si kryeqendër të veten.

Vučić, për më shumë, nuk ka në anën a në krahun e vet vetëm të gjitha levat e pushtetit në Serbi dhe pothuaj të gjitha mediat, në ofrimin e këtij interpretimi të gabuar dhe madje, të rrezikshëm të historisë dhe të luftërave në Kosovë dhe në Kroaci. Prapa tij, në këtë shpjegim që nuk lë vend fare për kurfarë dyshimi është edhe Federata e Rusisë e Presidentit Vladimir Putin.

Me këtë dimensionin ndërkombëtarë (të Rusisë), i cili përputhet në plotëni me këtë vendor  (në Serbi), luftërat e zhvilluara para disa dekadave në këto anë të Evropës, konteksualizohen në skemat e paqena  (të asaj kohe), të një konflikti në relacionin në mes të Perëndimit dhe Lindjes, apo, ato dalin si një zgjatim i ’Luftës së Ftohtë’, e cila pati përfunduar në mënyrë paqësore, me një disfatë evidente të Komunizmit, dy vite para se të fillonin luftërat në këto anë.

Është pra kjo një përpjekje që bashkon Beogradin dhe Moskën  (mund të ndodhë këtu që Serbia dhe Rusia nuk kanë motive të njejta në këtë aspekt), për t’ia ndryshuar kuptimin dhe domethënien e mirëfilltë të këtyre luftërave.

Është vështirë të ndërtohen raporte krejtësisht të reja, të bazuara në një mirëkuptim, bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë në mes të Serbisë dhe Kosovës, Serbisë dhe Kroacisë, nëse në Beograd do të vazhdojë të mbetet në fuqi ky naracion dhe ky shpjegim i historisë së re i raporteve të Serbisë me Kroacinë dhe të Serbisë me Kosovën.

Megjithatë, Vučić, siç po kuptohet gjithnjë e më shumë viteve të fundit, po përpiqet ta dyzojë këtë diskurs të tij për luftën, me atë tjetrin diskurs të shfaqjes së gatishmërisë së tij që të ketë marrëdhënie të mira me Kroacinë  (dhe me të gjitha shtetet në rajon), dhe ta bëjë Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse me Kosovën.

Politika zyrtare e SHBA-së dhe e BE-së  (jo vetëm në këto vitet e mbrama, por tash e sa kohë), në trajtimin e kësaj qasjeje me dy kuptime (dhe me dy synime), të Vučićit, është sintetizuar më së miri me atë thënien e Joseph Bidenit, (asokohe Zëvëndës-President i SHBA-së), kur pati vizituar Beogradin. Kur u pati përmendur tema e pavarësisë së Kosovës, Biden pati thënë, në relacionet e tij me nikoqirët në Beograd, ’ne pajtohemi që nuk pajtohemi’  (për këtë çështje).

I njëjti qëndrim vlenë edhe për relacionin e Washingtonit dhe Brukselit për këtë shtrembërim të madh të historisë nga ana e Vučićit, me gjasë, edhe duke besuar që lideri i pakontestueshëm i Serbisë, këtë interpretim të historisë e bën për ’konsum të brendshëm’, dhe që ky diskurs nuk do ta ndaloi atë të bëhet faktor konstruktiv për të kontribuar në synimin e përbashkët amerikano-evropian për një stabilitet afatgjatë të Ballkanit Perëndimor.

Megjithatë, nëse lidershipi i sotëm i Serbisë, nuk është në gjendje të pranojë fare përgjegjësinë për të gjitha tmerret e shkaktuara në vitet e nëntëdhjeta, dhe për më shumë, bën një interpretim i cili nuk ka të bëjë gjë me të vërtetën historike dhe politike të këtyre luftërave, është goxha vështirë të pritet që Beogradi i sotëm do të jetë i gatshëm që t’i pranojë në plotëni pasojat dhe rezultatet politike të këtyre luftërave, të cilat në rastin e Kosovës shprehen edhe me çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Ndërsa dihet që kur bëhet fjalë për fazën finale të bisedimeve në mes të autoriteteve më të larta të Prishtinës dhe Beogradit, e cila ka nisur në muajin korrik, realisht, tema kryesore e tyre është gjetja e çelësit për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Është gjithnjë e më e qartë  (zatën, këtu pajtohen plotësisht Washingtoni, Brukseli, Berlini dhe Parisi), që tjetër çelës për këtë Marrëveshje pos njohjes formale reciproke në mes të dy shteteve, nuk ka.

Sidoqoftë, është vështirë për t’iu shmangur vlerësimit që atmosfera e sotme politike dhe mediatike mbizotëruese në Serbi, me këtë naracion që shfajëson veten dhe hedh përgjegjësinë mbi gjithë të tjerët  (në rajon, tek shtetet fqinje dhe në Perëndim), është një faktor tej mase vështirësues për të arritur Marrëveshjen ligjësisht detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Tek e mbrama, ky diskurs i Serbisë me siguri do të reflektohet edhe në vetë bisedimet me autoritetet e Kosovës, të cilat pritet të vazhdojnë në shtator.

Sipas të gjitha gjasave pra, na pret një vjeshtë shumë problematike në dialogun e Prishtinës dhe Beogradit, teksa ne, do të duhej të bënim çmos që telashet e shumta të brendshme politike të cilat i kemi  (e të cilat po dalin gjithnjë e më shumë në sipërfaqe), të mos na reflektohen në organizmin e dialogut nga ana e jonë, dhe as në pozicionin e qartë politik i cili do të insistojë që dialogu të përqëndrohet në temën kryesore, apo në njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.