Vizitë në Prekaz dhe takime në Prishtinë për Presidentin, shumë pak shpresë për Osmanin - Gazeta Express
string(88) "vizite-ne-prekaz-dhe-takime-ne-prishtine-per-presidentin-shume-pak-shprese-per-osmanin-1"

Lajme

Gazeta Express

25/02/2026 15:04

Vizitë në Prekaz dhe takime në Prishtinë për Presidentin, shumë pak shpresë për Osmanin

Lajme

Gazeta Express

25/02/2026 15:04

Vizita e kryeministrit Albin Kurti në Prekaz te Jasharët dhe takimet e tij me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, duken si lëvizjet e vetme deri tash për zgjidhjen e çështjes së Presidentit. Ndërkohë që Vjosa Osmani kërkon edhe një mandat në karrigen e shefes së shtetit, në LVV thonë se s’kanë mbledhur nënshkrime, se s’kanë kandidatë dhe se nuk duan të imponojnë. Ministri i Punëve të Jashtme, nënkryetari i LVV-së Glauk Konjufca tha sot se për dikë nga familja Jashari ka “konsensus automatik në shoqëri”.

Gazeta Express

Një takim me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza të dielën në mbrëmje, një vizitë në Prekaz po atë natë dhe një tjetër takim të nesërmen me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Këto janë të vetmet lëvizje publike të kryeministrit Albin Kurti për çështjen e Presidentit.

Kryetari i LVV-së e përshkroi atmosferën si kontruktive në takimet që i pati me Hamzën e Abdixhikun. Tha se po e kuptonin njëri-tjetrin dhe se kishin një gjë të përbashkët: asnjë dëshirë për të shkuar në zgjedhje të reja parlamentare.

Kurti është shprehur optimist në fillim të kësaj jave se “në këto ditët e pakta të mbetura do të mund të gjejmë zgjidhje” për Presidentin. Deputetët kanë afat deri më 4 mars për ta zgjedhur atë.

LVV duket sikur e ka hedhur poshtë mundësinë që ta mbështesë Vjosa Osmanin për presidente edhe për një mandat, të cilin ajo po e kërkon.

“Ne nuk kemi mbledhur nënshkrime për askënd, për shkak se edhe nëse ne i mbledhim nënshkrimet, ne mund të mbërrijmë në rastin më të mirë teorik te numri 66, i cili është aq larg numrit 80. Nuk e mbërrijmë dot. Prandaj kot ne mund të nxjerrim kandidat”, tha Kurti të hënën kur u pyet për këtë.

Të dielën në mbrëmje, Kurti ishte në Prekaz të Skënderajt, siç e pranoi vetë të nesërmen. Tha se shkoi atje për t’u takuar me Rifat Jasharin, vëllain e komandantit simbol të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit.

“Po, kam qenë mbrëmë te baca Rifat. Kur u takuam për festimet e përvjetorit të 18-të të pavarësisë, besuam që do të kemi mundësi që të qëndrojmë pak bashkë dhe të rrimë, sepse s’jemi parë kaherë. Nuk qe një mundësi e tillë. E kishim lënë të takohemi dhe shkuam atje”, tha ai.

“Biseduam për zhvillimet politike, biseduam për shumë çështje, mirëpo natyrisht që zgjidhja është në mesin e këtyre tri subjekteve politike”, tha, kur u pyet nëse temë diskutimi ishte edhe çështja e Presidentit.

Ministri i Punëve të Jashtme, nënkryetari i LVV-së Glauk Konjufca tha sot se anëtarët e familjes Jashari janë emrat e vetëm për të cilët ka “pritje pozitive” dhe “konsensus automatik”.

“Deri tash të vetmit emra që kanë shkaktuar automatikisht një pritje pozitive, një konsensus automatik në shoqërinë tonë, është një president nga radhët e familjes Jashari”, tha ai në një prononcim për gazetarët.

Ai e përjashtoi veten si opsion për president dhe tha se nuk duan ta propozojnë njëanshëm një emër, pasi u pyet për opsionin Osmani.

“Kësaj radhe – unë nuk po flas me emra të partive politike, se nuk është vendi këtu, por po flas me konceptet e mazhorancës në Kuvend të Republikës së Kosovës – ajo mazhorancë që është prej 66 numrave, ne jemi bindë që nuk ka mundësi përmes një emri që propozohet, një emri të njëanshëm, ta marrim edhe votën e garantuar të opozitës për t’i bërë 80 vota. Ky është konstatimi i mazhorancës. Nuk po them që është absolut, sepse gjëra absolute në politikë nuk ka. Ka të përafërta. Pra, me përafërsi, ky është konkludimi i mazhorancës. Ndoshta e kemi gabim, ndoshta e kemi mirë, por ky është konkludimi. Pra, konkludimi është që përmes një emri të përveçëm ne mos me e mbështetë për muri opozitën, me thënë ‘ky është dhe këtë duhet ta votoni’”, tha ai në një konferencë për media.

Konjufca tha se emri i tij nuk është shtruar si opsion.

“A jam unë opsion? Jo unë mendoj që nuk është folë, nuk është shtruar në këtë kontekst. Po ta kishte qasjen mazhoranca që do ta propozonte një president të Lëvizjes Vetëvendosje, unë mendoj që ajo është pikërisht ajo që thashë në fillim po duam ta shmangim. Se kjo është me e qitë opozitën para aktit të kryer. Ky nuk është qëllimi kësaj radhe i mazhorancës. Prandaj kemi vepruar në tjetër mënyrë. Këto janë koordinatat në të cilat po veprojmë”, tha ai.

Kurti, Hamza e Abdixhiku me gjasë do të takohen sërish për çështjen e njëjtë. Abdixhiku tha të hënën pas bisedimeve me Kurtin në Kuvend se për emrat konkret do të flisnin “në takimet e ardhshme”.

Advertisement
Advertisement
Advertisement