Vizitat e Petkoviqit në Kosovë: Një herë me leje të MPJ-së, një herë me leje të tjetërkujt, sot u ndalua - Gazeta Express

Vizitat e Petkoviqit në Kosovë: Një herë me leje të MPJ-së, një herë me leje të tjetërkujt, sot u ndalua

Lajme

Gazeta Express

14/01/2021 10:21

Brenda një muaji, drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka ardhur dy herë në Kosovë. Ai ka planifikuar që sot të vijë sërish, por vizita e tretë brenda pak kohësh i është ndaluar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Për vizitën e parë si drejtor i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën, Petkoviqit i ishte dhënë leje nga Qeveria e Kosovës. Në rastin tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme kishte refuzuar ta lejojë vizitën e tij të dytë në janar, por dikush tjetër i kishte dhënë leje.

Më 7 dhjetor, Petkoviq erdhi në Kosovë për një vizitë dyditore. Ai fillimisht e vizitoi Qendrën Shëndetësore në Mitrovicën e Veriut, ku kishte me udhëheqjen lokale për situatën epidemiologjike në këtë komunë. Tutje, Petkoviq mbajti një takim me menaxhmentin më të afërt të Qendrës Shëndetësore në ndërtesën e administratës në Mitrovicën e Veriut, ndërsa gjatë ditës ai do të ketë edhe disa takime tjera me udhëheqësit komunalë dhe serbët në veri të Kosovës.

Petkoviq gjatë kësaj vizite ishte futur deri në rajonin e Drenicës, ku e kishte vizituar fshatin Bajë të Skenderajt. Ai kishte shkuar për vizitë në manastirin e Bajës në Skenderaj, ku ishte takuar me peshkopin Teodosije. Ai gjithashtu e kishte vizituar edhe Kompleksin Shëndetësor dhe Turistik “Paradise Spa” në këtë fshat.

Ministria e Punëve të Jashtme s’ishte përgjigjur nëse i kishte dhënë leje Petkoviqit për atë vizitë, e vetëm pasdite, Qeveria e Kosovës e kishte pranuar se kishtedhënë leje që drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë të hynte në Kosovë.

Zëdhënësja e Qeverisë, Antigona Baxhaku ka thënë për Express se leja është dhënë në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme.

“Ministria e Punëve të Jashtme në konsultim me Zyrën e Kryeministrit i kanë dhënë leje Petar Petkoviqit për të hyrë në Kosovë. Qeveria e respekton marrëveshjen e Brukselit në lidhje me vizitat e zyrtarëve serb, ku thuhet se secila kërkesë për vizitë duhet të konsultohet fillimisht e pastaj të merret vendimi”, ka thënë Baxhaku.

Rreth një muaj më vonë, më 6 janar, Petkoviq u lajmërua me një fotografi nga Kosova. Ai erdhi për një vizitë dyditore në Kosovë, me rastin e Krishtlindjes ortodokse. Ai kishte postuar një fotografi në Facebook ku shihej duke mbajtur një pemë të Krishtlindjes mbi sup, të cilën.

“Gëzuar mëngjesin e Krishtlindjes dhe ditën e Krishtlindjes nga Kosova dhe Metohija! Para diellit, në mëngjes herët, unë preva pemën e Krishtlindjes me urimin dhe lutjen që festa e lindjes së Krishtit të na sjellë paqe dhe prosperitet”, kishte shkruar Petkoviq.

Të nesërmen, Petkoviq ua kishte dorëzuar çelësat e 36 apartamenteve të reja në Mitrovicën e Veriut, qiramarrësve serbë në tri ndërtesa banimi, të cilat u ndërtuan nga Qeveria e Serbisë.

“Zyra për Kosovë dhe Metohi dorëzoi 36 apartamente, nga gjithsej 96 që i ndërtoi në vitin 2020. Tetë ndërtesa në Mitrovicën Veriore, pesë ndërtesa në Leposaviq, dy ndërtesa në Zveçan dhe tri ndërtesa në Zubin Potok. Ne do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm në vitin 2021”, kishte thënë Petkoviq, në ceremoninë ku mori pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Rakiq tha se “të gjithë në Serbi janë një familje e madhe, pavarësisht se në cilën pjesë të vendit tonë jetojnë”.

Vizitën e tij të dytë dyditore në Kosovë, Petkoviq e kishte përfunduar duke vizituar Qendrën Shëndetësore në Gushtericë të Poshtme të Lipjanit, e cila së fundmi ishte pajisur me një ambulancë nga qeveria serbe.

“Pikërisht për shkak të kësaj, shteti i Serbisë po bën gjithçka për të ndihmuar sistemin shëndetësor këtu, por edhe në të gjitha vendet e tjera. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se 2021 do të jetë një vit në të cilin ne do të forcojmë më tej sistemin shëndetësor të Republikës së Serbisë, sepse gjëja më e rëndësishme është shëndeti i njerëzve”, kishte thënë Petkoviq.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në një përgjigjje për Gazetën Express kishte thënë se Petkoviqit ia kishte refuzuar kërkesën për lejimin e kësaj vizite, por se vizitën e tij e kishin lejuar “autoritetet mbi MPJD-në”, pa specifikuar se kush.

“Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Serbi, Petar Petkoviq, ka bërë kërkesë për vizitë në Kosovë me datën 4 janar 2021.Një ditë më vonë, me datën 5 janar, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla, ka udhëzuar Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi që të refuzojë këtë vizitë. […] Në ndërkohë autoritetet mbi MPJD-në kanë lejuar vizitën e tij në Kosovë për shkak të festave ortodokse, përkundër qëndrimit refuzues të Ministres Haradinaj-Stublla”, thuhej në përgjigjjen e MPJD-së.

Sot, po kjo ministri, ka refuzuar t’i japë leje Petkoviqit që të vijë sërish në Kosovë. Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka bërë të ditur sot vendimin për t’ia kanë ndaluar hyrjen në Kosovë Petkoviqit.

“Pas interesimit të medieve, njoftoj opinionin publik se edhe sonte MPJD ka refuzuar kërkesën e zyrtarit serb Petar Petkoviq (i ashtuquajtur ‘drejtor në zyrë për Kosovën’) për vizitë në Republikën e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Kjo sipas saj ka ndodhur pasi që Serbia po vazhdon të sillet në mënyrë destruktive.

Pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Prishtinë për t’ia ndaluar hyrjen në Kosovë, drejtori i të ashtuquajturëz zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se veprimet e politikanëve shqiptarë tregojnë se marketingu politik është më i rëndësishëm për ta sesa jeta dhe siguria e njerëzve.

“Sonte, dy orë pas mesnatës, institucionet e përkohshme në Prishtinë vendosën të më ndalonin t’i vizitoja zonat e përmbytura në zonat serbe në provincën jugore dhe të dorëzoja ndihma humanitare për familjet e rrezikuara”, tha Petkoviq në një deklaratë.

Ai tha se “është e qartë që fushata zgjedhore në Prishtinë filloi para afatit ligjor” dhe se “serbët ishin përsëri shënjestrat kryesore”.

“Veprimet e politikanëve shqiptarë tregojnë se marketingu politik është më i rëndësishëm për ta sesa jeta dhe siguria e njerëzve. Në të njëjtën kohë, sjellja e Prishtinës tregon se Bashkimi Evropian nuk është në gjendje të sigurojë respektim për marrëveshjet e arritura, përfshirë atë për lirinë e lëvizjes. Ne po marrim pjesë në çfarëdo mënyre në rritjen e tensioneve në provincë, sepse një atmosferë e tillë derdhet gjithmonë mbi kurrizin e njerëzve tanë, por një gjë për të gjithë mund të jetë i sigurt – askush nuk mund të na ndalojë t’i ndihmojmë njerëzit tanë. Ndihma e Qeverisë sonë do të arrijë tek njerëzit tanë të rrezikuar nga përmbytjet, siç kemi premtuar”, tha Petkoviq. /Express/