Vizita në Berlin/ Rama takohet me Merkel të hënën, DW: Ja për çfarë do flasin


Gazeta Express
24 Janar 2020 13:17

Kancelarja gjermane Angela Merkel do të takohet të hënën  (27.01.) paradite në Berlin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, bëri të ditur të premten (24.01) në Berlin zëvendëszëdhënësja e qeverisë gjermane, Ulrike Demmer.

Në fokus të bisedës do të jetë ndihma që mund të japë Gjermania për rimëkëmbjen e dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e kishte paralajmëruar takimin me kancelaren gjermane edhe në kuadër të vizitës së tij në Romë, ku ai mori premtimin për mbështetjen e Italisë në konferencën e donatorëve, që do të zhvillohet më 17 shkurt 2020 në Bruksel, nën udhëheqjen e kryetares së komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.

Rama tha gjatë një bisede joformale me ministrin e jashtëm të Italisë, Luigi di Maio, se kostoja e rimëkëmbjes së zonave të shkatërruara nga tërmeti përllogaritet deri tani të jetë afro një miliardë euro.

Ulrike Demmer stellvertretende Regierungssprecherin Deutschland (Imago Images/M. Popow)

Temë tjetër e bisedimit, sipas Demmer, do të jetë kryesia e radhës së Shqipërisë në OSBE, marrëdhëniet bilaterale, situata në rajon dhe perspektiva evropiane e BE-së. Angela Merkel dhe Gjermania janë të angazhuar për çeljen sa më të shpejtë të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Pas një bisede që pati javën e kaluar me kryeministrin kroat Plenkoviç,  Merkel e  refuzoi trajtimin veç e veç të dy vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Nëse duam të jemi të drejtë, atëherë ne duhet t’i trajtojmë të dy vendet së bashku, pavarësisht se ato pastaj do të ndjekin procedura të ndryshme, në bazë të vlerësimeve që do t’u bëhen”, tha ajo.  DW

Te fundit


Kthehu lart