Vizita e fundit në Evropë: Si e mbylli Ali Khamenei kapitullin evropian nga Beogradi i vitit 1989 - Gazeta Express
string(96) "vizita-e-fundit-ne-evrope-si-e-mbylli-ali-khamenei-kapitullin-evropian-nga-beogradi-i-vitit-1989"

Lajme

Gazeta Express

03/03/2026 6:50

Vizita e fundit në Evropë: Si e mbylli Ali Khamenei kapitullin evropian nga Beogradi i vitit 1989

Lajme

Gazeta Express

03/03/2026 6:50

Në shkurt të vitit 1989, në një klimë miqësore mes vendeve të Lëvizjes së të Paangazhuarve, Beogradi priti presidentin e atëhershëm të Republikës Islamike të Iranit, Ali Khamenei.

Vizita, që në atë kohë u konsiderua pjesë e përpjekjeve për forcimin e bashkëpunimit mes vendeve në zhvillim, sot kujtohet si qëndrimi i fundit i tij në Evropë.

Gjatë konferencës për shtyp në Dvor na Dedinje, Khamenei u përball me pyetje rreth romanit “Vargjet Satanike” të shkrimtarit britanik Salman Rushdie, i ndaluar në Iran një vit më parë.

Duke iu referuar çështjes, ai deklaroi: “Shigjeta është qëlluar. Është drejtuar me shumë kujdes dhe është në rrugën e saj drejt objektivit”, një mesazh që u interpretua gjerësisht si mbështetje për fetvanë e shpallur nga paraardhësi i tij, Ruhollah Khomeini, kundër Rushdie-t.

Romani ishte konsideruar blasfemik nga shumë myslimanë, ndërsa fetvaja kërkonte vrasjen e autorit.

Më vonë, nën udhëheqjen e Khameneit, shpërblimi për vrasjen e Rushdie-t u rrit nga një fondacion fetar iranian.

Çështja mori përmasa globale dhe mbetet një nga episodet më të debatueshme të marrëdhënieve mes botës islame dhe Perëndimit.

Vizita në Beograd u zhvillua vetëm gjashtë muaj pas përfundimit të luftës tetëvjeçare mes Iranit dhe Irakut.

Në takimin me presidentin e Presidencës së RSFJ-së, Raif Dizdareviq, u theksua kënaqësia për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, shkencor, kulturor dhe arsimor.

Në deklaratën e përbashkët, bisedimet u përshkruan si të zhvilluara “në një atmosferë të përzemërt miqësie dhe mirëkuptimi të ndërsjellë”.

Dy palët diskutuan gjithashtu për përgatitjet për Samitin e Nëntë të Lëvizjes së Paangazhuarve, situatën në Lindjen e Mesme, Afganistan dhe Afrikën e Jugut, si dhe për konventën mbi ndalimin e armëve kimike.

Pala jugosllave përshëndeti vendimin e Iranit për të pranuar Rezolutën 598 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke e cilësuar atë si bazë për paqe më të qëndrueshme në Gjirin Persik.

Pak muaj pas vizitës në Beograd, në qershor 1989, Khamenei u zgjodh udhëheqës suprem i Iranit – një post që e mban prej atëherë.

Turneu i tij diplomatik i atij viti përfshinte gjithashtu vizita në Kinë dhe Korenë e Veriut, por pas marrjes së postit të ri ai nuk u largua më nga vendi.

Në retrospektivë, qëndrimi në Beograd shënon takimin e fundit të Ali Khameneit me tokën evropiane – në një kohë kur rendi ndërkombëtar po ndryshonte rrënjësisht.

Advertisement
Advertisement
Advertisement