Vizentali dhe Reçaku - Gazeta Express
string(20) "vizentali-dhe-recaku"

Gazeta Express

15/01/2020 12:53

Vizentali dhe Reçaku

Gazeta Express

15/01/2020 12:53

Katër argumente të një të mbijetuari të Holokaustit që vlejnë edhe për Reçakun.

Shkruan: Blerim Latifi

Lexo Edhe:

Simon Vizental, i mbijetuar i Holokaustit, ka shkruar një libër mbi përvojën e tij në kampet naziste të shfarosjes së hebrenjëve. Libri titullohet “ Lulja e diellit- Mbi mundësitë dhe kufijtë e faljes”.  Ky libër është një nga më të rëndësishmit në kontekstin e debatit mbi Holokaustin, gjenocidin e hebrenjëve ; dhe nisur nga argumentet e fuqishme morale që parashtron ky libër, sigurisht i rëndësishëm edhe për debatin e përgjithshëm që bëhet mbi krimet kundër njerëzimit.

Libri na ballafaqon me një pyetje themelore: A mund të falen krime të tilla, si ato që nazistët kryen kundër hebrenjëve gjatë Luftës së Dytë Botërore? 

Këtë pyetje do të mund ta bënim edhe për rastet më të afërta: A mund të falen krimet si Srebrenica, Masakra e Reçakut dhe vrasja me artileri e Familjes Jashari nga Prekazi?

Në rrëfimin e Vizentalit dhe në interpretimet e këtij rrëfimi që janë dhënë si shtojcë në librin e tij, ne mund të gjejmë përgjigjjen në këtë pyetje.

Vizentali, si i burgosur në kampet naziste të shfarosjes, të vendosura në Poloni, një ditë, bashkë me disa të burgosur të tjerë, dërgohet në një spital nazist për t’i kryer disa punë. Aty, në një kthinë, takohet me një ushtar nazist, i cili është duke vdekur nga plagët e rënda që i ka marrë gjatë luftimeve në frontin rus. Ushtari, që është duke dhënë shpirt, kërkon t’i rrëfehet Vizentalit, njësoj siç i rrëfehen priftit të krishterët e penduar në prag të vdekjes.

Ushtari i tregon Vizentalit për krimet monstruoze kundër hebrenjëve, në të cilat ai ka marrë pjesë. Ai ndjehet i penduar dhe kërkon nga Vizentali që ta falë në emër të popullit hebre.

Vizentali dëgjon rrëfimin e ushtarit dhe pastaj largohet pa i thënë asnjë fjalë. Ky veprim i Vizentalit ka nxitur debat të madh nëse ishte apo nuk ishte veprim i duhur, nga pikëpamja morale. A duhej Vizentali, që edhe vetë ishte viktimë e nazizmit, të cilit i kishte shërbyer ushtari, ta pranonte pendesën dhe kërkim faljen e tij?

Përgjigjja e Vizentalit është mohuese. Ajo kuptohet në vetë aktin e largimit të tij nga ushtari pa i thënë asnjë fjalë.

Dhe ka disa argumente që e mbështesin këtë përgjigjje të Vizentalit:

I pari: Askush nuk e kishte autorizuar Vizentalin që të fliste dhe të merrte një vendim në emër të hebrenjëve.

I dyti: Asnjë nga familjet e viktimave të Holokaustit nuk e kishte e autorizuar të bënte të njëjtën gjë.

I treti : Ai nuk mund të fliste në emër të të masakruarve të pafajshëm dhe të merre një vendim për vuajtjen e tyre.

I katërti : As populli hebre dhe as familjet e viktimave nuk mund të marrin një vendim faljeje në emër të tyre, pa i pyetur ato, sepse falja, në thelbin e saj, është një akt personal dhe vetëm ai që ka pësuar krimin mund ta kryej këtë akt falje.

Nëse ne i falim kriminelët, pa i pyetur viktimat, ne bëjmë një akt të dytë krimi kundër tyre, sepse po i përdorim ato për një qëllim që nuk ka të bëjë me to, por me interesat tona.

Prandaj falja është moralisht e pamundshme! Është thyerje e ligjeve themelore te moralit!

Argumentet e Vizentalit vlejnë edhe për viktimat e Reçakut dhe të të gjitha masakrave që Shteti serb bëri në Kosovë, gjatë luftës. Askush, përveç vetë viktimave, nuk ka të drejtë të japë faljen e autorëve të këtyre masakrave, e meqë këto viktima më nuk mund të flasin, krimi që u bë mbi to, mbetet i pafalshëm.

Ai është krim radikal, të cilin filozofët e moralit e përcaktojnë si “krim që as nuk mund të falet, e as nuk mund të dënohet”. Nuk mund të falet për arsyet e sipërthëna, dhe nuk mund të dënohet, sepse secili dënim që jepet për autorët, qoftë me varje, qoftë me burgim të përjetshëm, nuk mund të barazohet me përmasën e një krimi gjenocidi. Nuk mund të ketë viktima të përjetshme dhe xhelatë të përkohshëm.

Morali dhe drejtësia kërkojnë që pranë kujtimit të viktimave të përjetshme, të qëndroj përgjithmonë edhe kujtimi për kriminelët e përjetshëm. Ajo që është në duart tona, është puna për të ndërtuar struktura të fuqisë dhe të drejtësisë, të cilat e pamundësojnë që Reçaku dhe Prekazi të përsëriten në të ardhmen.

Dhe natyrisht, edhe për të mos harruar kurrë, sepse harrimi është formë e faljes.