8 shtatori e gjeti Presidentin Bajram Begaj në shkollën 9-vjeçare të fshatit Gosë të Kavajës, në vendlindjen e tij, nga ku krahas urimit për një vit shkollor të mbarë, apeloi për një brez që e do gjuhën shqipe dhe përqafon teknologjinë.
“Uroj, besoj dhe shpresoj që ju të jeni një brez që e do gjuhën shqipe, ka pasionin e dijes, përqafon teknologjinë, çmon dhe respekton njëri-tjetrin”, tha Begaj.
Numri dy i shtetit, kryetarja e parlamentit Elisa Spiropali vitin e ri shkollor e uroi nga Instituti i Nxënësve që nuk Shikojnë. Nga aty kryeparlamentarja premtoi se Kuvendi do të ndihmojë me nisma ligjore me rëndësi për arsimin e veçanërisht për nxënësit me aftësi ndryshe.
“Me rëndësi që të miratojmë ligje të tjera, të nxisim nisma ligjore për programe arsimore dhe për investim në teknologji që të zbatojmë standardet më të mira të kujdesit për fëmijët me nevojat e veçanta”, tha Spiropali.
Nga shkolla “Angela Merkel” në Kamëz që këtë 8 shtator hapi dyert për herë të parë për më shumë se 1,100 nxënës, Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu tha se infrastruktura shkollore dhe kushtet për nxënësit e mësuesit janë përmirësuar.
“Sot, në ditën e parë të shkollës, ne kemi hapur 30 shkolla të reja apo të rehabilituara, falë mbështetjes edhe të partnerëve, qeverisë shqiptare dhe të bashkive gjithashtu. 30 shkolla të reja të cilat ofrojnë kushte dhe standarde bashkëkohore për më shumë se 10 mijë nxënës dhe mësues”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Ndryshe nga qeveria, PD e pa ndryshe panoramën që të ofron nisja e vitit të ri shkollor.
Kryetarja e komisionit të medias, Ina Zhupa tha se 2025-sa e gjen arsimin me buxhet të ulët, me reduktim të numrit të nxënësve, me premtime që nuk mbahen për drekën e libra falas, sigurinë në shkollë apo mësim me turne.