Viti i ri akademik, PD: Më pak se 40% e programeve universitare, të akredituara - Gazeta Express
string(75) "viti-i-ri-akademik-pd-me-pak-se-40-e-programeve-universitare-te-akredituara"

Shqiperi

Gazeta Express

06/10/2025 10:38

Viti i ri akademik, PD: Më pak se 40% e programeve universitare, të akredituara

Shqiperi

Gazeta Express

06/10/2025 10:38

Partia Demokratike uroi sot studentët për nisjen e vitit të ri akademik.

Në një dalje për mediet nga selia blu, drejtuesja e departamentit të Arsimit, Lili Sula ngriti shqetësimin në lidhje me gjendjen e arsimit të lartë në Shqipëri.

Sula tha se zbrazja e universiteteve është shkatërrimi i heshtur i arsimit të lartë.

“Auditorët bosh janë pasqyra më e qartë e kësaj krize. Në më pak se një dekadë, numri i studentëve është ulur me 45%”, tha Sula.

Sula nënvizoi më tej se mësuesia është në kolaps.

“Zhvillimi i vrullshëm  teknologjik na orienton drejt degëve të informatikës, por kjo nuk përligj mbylljen e rreth 100 programeve studimore mes të cilave janë dhe ato të mësuesisë”, tha Sula.

Më tej, drejtuesja e departamentit të Arsimit theksoi se mjekësia ka mbetur peng i barrierave të qeverisë.

“Vetëm këtë vit, numri i maturantëve që konkurruan për Mjekësi të Përgjithshme ra me 40%, për shkak të barrierave të vendosura nga vetë qeveria. Në vend që të nxisë dhe motivojë të rinjtë të zgjedhin degët jetike për shoqërinë, shteti ngriti barriera ligjore që dekurajojnë dhe penalizojnë studentët të largohen për të studiuar në universitete jashtë vendit ose në arsimin jopublik”, tha Sula.

Sula tha më tej se “më pak se 40% e programeve universitare janë akredituar, ndërsa mbi 40% e pedagogëve nuk kanë gradën shkencore “Doktor” ; 46% e pedagogëve punojnë me kohë të pjesshme”.

Sipas Sulës, financimi për kërkimin shkencor në Shqipëri listohet në fund të Europës, sipas të dhënave të EUROSTAT-it.

Sula u shpreh ndër të tjera se autonomia universitare është në rënie të lirë dhe se universitetet po shndërrohen në zgjatime të rilindjes.

“Universitetet nuk kanë nevojë për dekor, por për dinjitet. Universiteti është zemra e kombit, që po shuhet nga shpresa për një shoqëri më të lirë. Nuk mund të ketë të ardhme kur rinia largohet, kur pedagogët nënshtrohen”, u shpreh Sula.