Kontrollet e shtuara ndaj ndotësve më të mëdhenj të ajrit, mbrojtja e ujërave të pijshëm dhe tokës pjellore, mbjellja e bimësisë në zona të gjelbra si dhe ndërtimi i sistemeve të ujësjellësve dhe kanalizimeve ishin në fokusin e Ministrisë së Ekologjisë në vitin e parë të qeverisjes. Kreu i këtij resori Izet Mexhiti tha se ndërtimi i qendrave rajonale për menaxhim të mbetjeve, me mbështetje financiare në vlerë prej 55 milionë euro nga BERZH përfshijnë ndërtimin e deponive sanitare, stacioneve të transferimit, pikave të gjelbra dhe impianteve për kompostim.
“Sistemet e monitorimit të cilësisë së ajrit janë përforcuar me mbështetje nga IPA dhe projektet e binjakëzimit. Janë vendosur kontrolle më të rrepta ndaj kapaciteteve industriale me leje të integruar ekologjike dhe janë krijuar plane lokale për menaxhimin e ndotjes. Për të garantuar transparencë dhe efikasitet institucional, është forcuar Inspektorati për Mjedis Jetësor dhe janë përmirësuar mekanizmat për ndjekjen e indikatorëve kyç”, tha Izet Mexhiti – Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Në Manastir ka filluar ndërtimi i stacionit të ri të pastrimit të ujërave të zeza, ndërsa në Tetovë, Veles, Shtip, Vinicë dhe Koçan janë në zhvillim procedurat tenderuese për ndërtim dhe rehabilitim të sistemeve ekzistuese, tregoi ministri Mexhiti. Më tej shtoi se në vitin e parë të kësaj Qeverie nisi edhe zbatimi i projektit të ujësjellësit dhe kanalizimeve në 80 komuna të vendit, me mbështetje financiare prej 50 milionë eurosh nga Banka Europiane për Investim.
“Paralelisht u miratua për herë të parë plani për ajër të pastër 2024-2030, dokument i cili përcakton objektivat e qarta dhe masa konkrete për përmirësimin e cilësisë së ajrit me mbështetje financiare prej 10 milion eurosh nga Bashkimi Europian. Procesi për miratimin e ligjit të ri për ajrin është në zhvillim me synim harmonizimin e plotë me direktivat Evropiane”, shtoi Izet Mexhiti – Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Projektet e tjera që i theksoi ishte mbrojtja e biodiversitetit përmes zgjerimit të territorit të mbrojtur nga 11.5% në 13.9%, shpallja Park Kombëtar i Malit Sharr, përfundimi i dokumenteve për shpalljen e Jabllanicës dhe rivlerësimi i Parkut të Mavrovës. U përmend po ashtu edhe programi zviceran për mbrojtjen e ujërave nëntokësore në pellgun e Vardarit, me vlerë 4.6 milionë CHF, që zgjat deri në vitin 2027 dhe përfshin plane menaxhimi dhe projekte pilot të rëndësishme.