Viruset: të rrezikshëm por ende thelbësorë për jetën në tokë - Gazeta Express

Shneta

Gazeta Express

20/04/2020 13:26

Viruset: të rrezikshëm por ende thelbësorë për jetën në tokë

Shneta

Gazeta Express

20/04/2020 13:26

Ndërsa krerët e shteteve nga e gjithë bota janë duke zhvilluar luftë kundër koronavirusit të ri SARS-CoV-2, mbrojtja nga ky virus duhet më shumë si noti kundër valëve, shkruan Euronews, transmeton Gazeta Express.

Sidoqoftë, të kuptuarit e saktë të këtij virusi, mund të jetë thelbësore për deshifirimin e kësaj pandemie, ndalimin e saj dhe ndoshta parandalimin e pandemive të tjera. Shkenca sapo ka filluar të zbulojë rolin e viruseve për biodiversitetin, evolucionin e specieve madje edhe për rregullimin e klimës.

Viruset si agjentë përgjegjës të sëmundjeve infektive, filluan të shfaqen në shekullin e 19-të, ndërsa hulumtimet për këtë specie filluan të përqëndrohen kryesisht në aspektin e tyre patogjen. Vetëm nga fundi I shekullit të 20-të, shkencëtarët filluan të shikojnë më nga afër rolin, që mund të luanin viruset për jetën në tokë.

Ashtu sikurse bakteret, edhe viruset kanë ndikim në shumë procese, të cilat shkencëtarët vetëm sa kanë filluar t’i zbulojnë.

Çfarë është një virus?

Përkufizimi I viruseve evoluon vazhdimisht krahas përparimeve teknologjike dhe zbulimeve shkencore. Tradicionalisht, një virus përkufizohet si një molekule, që përmban informacion gjenetik apo ADN, e veshur me kapsidë apo membranë mbrojtëse. Disa viruse të tilla si SARS-CoV-2, kanë edhe një sasi lipidesh, që e rrethojnë membranën e tyre, gjë që e shpjegon teorinë se larja e duarve me sapun e shkatërron këtë shtresë lipidike.

E konsiderur gjatë se virusi është grimcë më e vogël se 0.2 mikrometër, zbulimi I viruseve gjigande në vitin 2003 e kundërshtoi këtë teori. Viruset janë të pranishme pothuajse kudo në tokë. Vlerësohet se ekzistojnë të paktën 10^3 grimca virale në planetin tonë.

Viruset si rregullatorë të biodiversitetit

Sigurisht që disa viruse, sikurse edhe bakteret mund të shkaktojnë sëmundje të rrezikshme tek njerëzit siç është rasti me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen Covid-19. Mirëpo, ka edhe viruse, të cilat i targetojnë dhe i sulmojnë bakteret patogjene.

Këto viruse kanë një ndikim pozitiv, pasi mund të përdoren për të trajtuar sëmundje me origjinë bakterale. Kjo metodë, e cila ende është subjekt i projekteve kërkimore, mund të jetë një zgjidhje e duhur, sidomos në kohën kur po rritet rezistenca ndaj antibiotikëve.

Gjithsesi, roli i viruseve për biodiversitetin është ende i panjohur dhe komuniteti shkencor sapo ka filluar të kuptojë rëndësinë e tyre në këtë fushë.

Roli i virusëve në evolucionin e specieve

Përtej rolit të tyre si shkatarë të sëmundjeve, viruset gjithashtu duket se kanë luajtur një rol të madh në evolucionin e shumë specieve, duke përfshirë edhe specien tonë.

Në të vërtetë thuhet se evolucioni i gjitharëve ka qenë i mundur falë sincitinës, një proteinë me origjinë virale, që rrjedhë nga një retrovirus i vjetër, i së njëjtën familje si HIV-I, dhe i cili është pjesë e kodit tonë gjenetik. Kjo proteinë ka pasur ndikim, që qeliza mëmë të mos e refuzojë qelizën bijë, dhe kështu të krijohen vezët e më pas fetusi.

Një shembull tjetër, që viruset ndikojnë në zhvillimin e specieve, është një proteinë tjetër me origjinë retrovirale, që ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e sistemit nervor tek vertebrorët.

A do të zhduket ky koronavirus?

Është teknikisht e mundur të imagjinohet zhdukja e SARS-CoV-2, por sipas shkencëtarëve nuk ka shumë gjasa për zhdukjen e tërësishme të këtij virusi.

Sëmundje Covid-19 mund të përmbahet, trajtohet dhe madje mund të mposhtet, mirëpo duke marrë parasysh se koronaviruset mund të qarkullojnë në mesin e 7 miliardë njerëzve dhe miliona specieve të tjera, do të ishte më mirë të mbështetemi në sistemet tona shëndetësore dhe tek ekspertët, që janë të përgatitur në menagjimin e kësaj situate, se sa të shpresojmë në zhdukjen e tërësishme të tij./Gazeta Express

Përktheu: Endrina Ramabaja