Vinicius Junior i ka bërë të ditur presidentit të Real Madridit, Florentino Perezit, në tetor se ai nuk do të nënshkruajë një kontratë të re me klubin sa kohë që ka një marrëdhënie të vështirë me trajnerin Xabi Alonso, raporton gazetari Mario Cortegana i “The Athletic”.
Vinicius kërkoi falje pasi reagoi me zemërim ndaj zëvendësimit të tij gjatë fitores 2-1 kundër Barcelonës më 26 tetor.
Megjithatë, Alonso mungonte në mënyrë të dukshme në deklaratën e tij, pasi ai kërkoi falje vetëm ndaj tifozëve, bashkëlojtarëve, klubit dhe Perezit për sjelljen e tij.
Anësori dëgjohej duke thënë: “Më mirë po largohem”, teksa braktisi fushën gjatë shpërthimit të tij në “El Clasico”.
Ai i nisi si titullar tri ndeshjet e radhës për Real Madridin përpara se të lihej jashtë formacionit të Alonsos për barazimin 2-2 ndaj Elches të dielën.
Vinicius ka kontratë me Real Madridin deri në qershor 2027.
Lojtari dhe klubi po diskutonin për një kontratë të re në janar, por bisedimet u pezulluan pasi palët nuk arritën marrëveshje.
25-vjeçari tani beson se po trajtohet padrejtësisht nga Alonso – i cili zëvendësoi Carlo Ancelottin në maj – gjë që po ndikon dukshëm në vendimin e brazilianit për të mos e lidhur të ardhmen e tij me “Los Blancos”.
Gjithashtu, ekziston një diferencë e madhe në pritshmëritë e pagës.
Vinicius aktualisht fiton rreth 18 milionë euro në vit pas taksave, dhe Real Madrid i ofroi një rritje më herët në 2025 që do ta çonte pagën e tij në rreth 20 milionë euro neto në vit, sipas Corteganës. Vinicius e refuzoi ofertën.
Klubi u kërkoi përfaqësuesve të Vinicius të propozonin një marrëveshje.
Ekipi i tij, ndoshta i inkurajuar nga interesimi i pasur i Saudi Pro League, kërkoi deri në 30 milionë euro në sezon, përfshirë pagën bazë, bonuset e performancës dhe bonusin e rinovimit, sipas Corteganës.
Një marrëveshje e tillë nuk i është ofruar asnjëherë ndonjë lojtari të Real Madrid, dhe paketa totale do të arrinte sa kontrata më e madhe në historinë e klubit, e cila iu dha Cristiano Ronaldos.
Vinicius dhe Real Madrid patën bisedime të tjera kontraktuale në fillim të sezonit, por negociatat u bllokuan.
Tani, marrëdhënia e tij me Alonso po shfaqet si një pengesë tjetër.
Emri i Vinicius ka qenë i pranishëm rregullisht në raportet e merkatos që nga gushti 2024, kur përfaqësuesit e tij thuhet se diskutuan një transferim potencial në Saudi Pro League që mund t’i sillte atij një pagë vjetore prej 350 milionë eurosh./GazetaExpress/