Viktor Gyökeres është një nga emrat më të nxehtë të merkatos së kësaj vere, ndërsa Fabrizio Romano ka dhënë një përditësim të rëndësishëm mbi të ardhmen e tij.
Sulmuesi suedez po përgatitet për një largim nga Sporting CP pas dy sezoneve të jashtëzakonshme në Portugali, ku ka realizuar plot 97 gola.
Arsenal shihet si destinacioni kryesor për të, por sipas raportimeve nga A Bola, Gyökeres ka edhe gjashtë klube të tjera në mendje në rast se transferimi te “Topçinjtë” dështon.
Klubet që Viktor Gyökeres ka në radar janë: Arsenal, Manchester City, Liverpool, Real Madrid, Barcelona, Paris Saint-Germain (PSG) dhe Bayern Munich.
Manchester United? Jashtë loje
Sipas A Bola, Manchester United asnjëherë nuk ka qenë në planet e Gyökeres.
Edhe pse Ruben Amorim, trajneri i United që më parë punoi me të te Sporting, e kishte identifikuar si objektiv kryesor për sulmin, suedezi nuk e kishte parë kurrë si një opsion serioz kalimin në Old Trafford.
Madje thuhet se Gyökeres ishte i zhgënjyer nga mënyra se si Amorim kishte trajtuar një lojtar tjetër te Sporting, gjë që i ka hequr tërësisht dëshirën për ta ndjekur trajnerin e tij ish-portugez në Premier League.
Negociatat me Arsenal: “Po përparojnë”
Fabrizio Romano ka konfirmuar se Arsenal dhe Sporting po ecin përpara në negociata.
“Kam dëgjuar që Arsenal dhe Sporting Lisbon po bëjnë përparime në bisedime tani. Ka gjasa të mira që marrëveshja për Viktor Gyökeres të finalizohet brenda pak ditësh”, tha Romano.
Megjithatë, nëse Arsenal dështon, atëherë klube si Real Madrid, Barcelona, PSG apo Bayern Munich mund të hyjnë seriozisht në garë për suedezin. Sa i përket Liverpool, një transferim atje duket më pak i mundshëm, pasi klubi është fokusuar tek Hugo Ekitike i Eintracht Frankfurt.
Çfarë thotë vetë Gyökeres?
Në një intervistë për France Football, ai u shpreh i qartë për prioritetet e tij:
“Në futboll nuk i dihet kurrë. Nuk po mendoj shumë për këtë tani, do të shohim çfarë do të ndodhë. Gjëja më e rëndësishme për mua është të luaj për një klub që më dëshiron me të vërtetë.” /GazetaExpress/