Gyökeres nuk arriti të regjistrojë asnjë gjuajtje në fitoren 1-0 të Arsenalit ndaj Manchester United.
Sulmuesi suedez, 27 vjeç, ndodhet nën presion të madh për të dhënë rezultat menjëherë këtë sezon, pasi u transferua në një marrëveshje që kap vlerën deri në 63 milionë funte këtë verë.
Ish-sulmuesi i Brighton, Swansea dhe Coventry është rikthyer në futbollin anglez pas një periudhe jashtëzakonisht të suksesshme me Sporting Lisbonën, ku shënoi 97 gola në vetëm 102 ndeshje. Tifozët e Arsenalit kishin shpresuar që ai do të shpërthente menjëherë në debutimin e tij zyrtar ndaj United në “Old Trafford”, të dielën.
Por reprezentuesi i Suedisë nuk arriti të bënte diferencën dhe u zëvendësua nga Kai Havertz në mesin e pjesës së dytë, pa realizuar asnjë gjuajtje – diçka që nuk i kishte ndodhur që nga prilli i vitit 2023. Në fund, performanca e tij e vakët nuk i kushtoi Arsenalit, pasi skuadra e Artetës fitoi 1-0 falë golit të Riccardo Calafiorit në pjesën e parë.
Megjithatë, eksperti i Sky Sports, Roy Keane, u shpreh kritik ndaj suedezit pas ndeshjes.
“Dukej sikur nuk ishte në formën e duhur. Kishte momente ku tregoi praninë fizike, por nuk ishte klinik në zonën e fundit,” tha Keane.
Daniel Sturridge ishte në të njëjtën linjë, duke shtuar:
“Premier League është një tjetër botë. Ai po vjen nga një kampionat ku kishte më shumë kohë dhe hapësirë, ndërsa sot u detyrua të vendoste shpejt.”
Ndërkohë, Micah Richards i doli në mbrojtje sulmuesit:
“Ai i ka të gjitha cilësitë për të pasur sukses këtu, por është e qartë që i duhet kohë për t’u përshtatur. Sistemi i Arsenalit do t’i përshtatet eventualisht, por sot nuk ishte dita e tij.”
Mesazhi i Gyökeres për tifozët pas debutimit
Gyökeres qëndroi larg rrjeteve sociale menjëherë pas debutimit, por më pas reagoi në Instagram.
Pavarësisht kritikave për paraqitjen e tij individuale, sulmuesi mbetet me humor pozitiv. Ai publikoi dy fotografi me mbishkrimin:
“Moment krenarie të bëj debutimin tim në Premier League për këtë klub të veçantë dhe të nis sezonin me fitore.”
Pas fitores kundër United, trajneri Mikel Arteta pranoi se ekipi i tij nuk arriti ta shfrytëzonte siç duhet suedezin, por mbeti optimist për të ardhmen.
“Bëri shumë gjëra mirë. Sidomos në presingun e lartë dhe ritmin që kërkojmë, por në pjesën e parë i dhamë pak kohë kundërshtarit. Është diçka që duhet të punojmë me të. Në fazën e fundit nuk pati shumë raste, sepse aksionet paraardhëse nuk i shfrytëzuam si duhet për ta vënë atë në situatë ideale. Por në fund, të shkosh në ‘Old Trafford’, të fitosh dhe të debutosh me Arsenal, është një fillim i mirë”, tha Arteta.
Arsenali tani përballet me Leeds të shtunën në ndeshjen e parë në “Emirates” këtë sezon, përpara përballjes me rivalin direkt për titull, Liverpool-in, javën e ardhshme. /GazetaExpress/