Video e Pentagonit tregon një UFO me lëvizje të pamundura - Gazeta Express
string(57) "video-e-pentagonit-tregon-nje-ufo-me-levizje-te-pamundura"

Mistere

Gazeta Express

09/02/2026 22:16

Video e Pentagonit tregon një UFO me lëvizje të pamundura

Mistere

Gazeta Express

09/02/2026 22:16

Një video e siguruar nga Pentagoni, që po cilësohet si tronditëse, duket se tregon një objekt fluturues të paidentifikuar (UFO/UAP) duke kryer manovra të pamundura për teknologjinë e njohur, përpara se të largohet me shpejtësi supersonike.

Pamjet u publikuan të martën nga gazetari investigativ dhe dokumentaristi Jeremy Corbell, bashkë-prezantues i podcastit WEAPONIZED. Videoja, e cila pretendohet se është regjistruar në vitin 2021 mbi provincën Suwayda në Siri, paraqet një objekt me formë kërpudhe të filmuar nga një dron ushtarak amerikan MQ-9 Reaper.

Sipas Corbell dhe bashkëpunëtorit të tij George Knapp, pamjet janë siguruar nga burime brenda komunitetit të inteligjencës dhe Pentagonit. Në video, objekti fillimisht duket sikur qëndron pezull ose lëviz me shpejtësi normale, por më pas përshpejton në mënyrë të menjëhershme dhe zhduket nga pamja, në një skenë që ngjan me filmat fantastiko-shkencorë.

Gazetarët e cilësojnë këtë si provën më të fundit të asaj që ata e përshkruajnë si sjellje “të vëzhgueshme” të mjeteve jo-njerëzore, konkretisht përshpejtim i çastit. Sapo kamera e dronit fokusohet mbi objektin, ai duket sikur reagon, manovron për të shmangur ndjekjen dhe më pas largohet me shpejtësi ekstreme.

Gjatë analizës së pamjeve, të cilat u ngadalësuan deri në pesë për qind të shpejtësisë reale, eksperti i sigurisë kombëtare dhe UAP-ve, Marik von Rennenkampff, theksoi se zhdukja e objektit nuk mund të shpjegohet me lëvizje të kamerës. Sipas tij, sfondi mbetet i pandryshuar, çka tregon se objekti është larguar realisht me një shpejtësi të jashtëzakonshme.

Hetuesit shtojnë se personeli ushtarak ka raportuar edhe raste të tjera të objekteve që largohen menjëherë me shpejtësi të pamundura, një manovër që ata e quajnë “çnjerëzore”, pasi bie ndesh me ligjet e njohura të fizikës.

Megjithëse Pentagoni ka deklaruar zyrtarisht se nuk ka prova fizike që konfirmojnë ekzistencën e UFO-ve apo qenieve jashtëtokësore, kjo video është arkivuar si UAP (Fenomen Ajror Anomal i Paidentifikuar), termi i ri zyrtar për UFO-t.

Një tjetër element i rëndësishëm është mungesa totale e gjurmëve të nxehtësisë, tymit apo shpërthimeve zanore, edhe pse objekti duket se lëviz me shpejtësi hipersonike, mbi Mach 5. Ky fenomen njihet nga studiuesit si “shpejtësi hipersonike pa nënshkrime”.

Rennenkampff përjashtoi mundësinë që objekti të ishte një dron apo avion konvencional, apo edhe teknologji e avancuar e ndonjë vendi rival si Kina, duke theksuar se një teknologji e tillë do të ndryshonte rrënjësisht balancat globale të sigurisë.

“Po të ekzistonte një armë e tillë, do të ishte një kërcënim i menjëhershëm për mbarë botën. Për më tepër, nuk ka asnjë arsye pse një teknologji kaq e avancuar do të fluturonte mbi shkretëtirën siriane,” u shpreh ai.

Rasti shton edhe më shumë pikëpyetje rreth natyrës së këtyre fenomeneve dhe kufijve aktualë të dijes njerëzore mbi teknologjinë ajrore. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement