Deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari i ka quajtur zhgënjyese deklaratat e fundit të ministrit të Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, sa i përket procesit eurointegrues të vendit. Ajo, gjatë seancës parlametare për pyetje të deputetëve të opozitës, ka kërkuar sqarim nga Murtezani se pse ka ndryshuar pozicionet në këtë temë, duke i përmendur deklaratat që koalicioni VLEN ka thënë para hyrjes në Qeveri, se i kanë dhënë kohë gjashtë muaj zbatimit të ndryshimeve kushtetuese, përcjell Gazeta Express nga SHENJA TV.
Rina Ajdari, deputete e Frontit Evropian
“Tani e keni zbutur atë pozicion, ose keni filluar ta kushtëzoni integrimin evropian me çështje bilaterale, sepse kështu pozicionoheni kur dilni jashtë vendit, po edhe këtu. Nëse po shohim një ndryshim të linjës politike nga qëndrime të qarta për të drejta shqiptare drejt një rreshtimi në linjën e padronit, atëherë ka vend për të pyetur a është kjo pjesë e një pazari politik apo po përdorët për të mbajtur pushtetin apo vërtetë si strategji për të arritur qëllime afatgjate. Këto pyetje që nuk i parashtroj unë por i parashtrojnë votuesit, shoqëria civile, sepse ndryshimi i diskursit publik nga parimor në utilitar, pa shpjegim, krijon mosbesim”.
Murtezani ka mohuar pretendimet se VLEN ka kushtëzuar qëndrimin apo daljen nga qeveria me zbatimin e ndryshimeve kushtetuese. Sa i përket kushtëzimit, ministri akuzoi se, ka qenë pikërisht BDI që ka nënshkruar protokoll me përmbajtje të çështjeve bilaterale.
Orhan Murtezani, ministër i Çështjeve Evropiane
“Kemi thënë se, prioritet i ynë si koalicion dhe prioriteti i shtetit në përgjithësi dhe i qeverisë duhet të rezultojë me gjetjen e një zgjidhje për gjashtë muaj që ne ta zhbllokojmë procesin e integrimit. Kjo ka qenë e gjitha sa i takon pjesës së gjashtë mujorit. Kur thoni se, ne si qeveri me retorikë ditore zhbllokimin e procesit të eurointegrimit e kushtëzojmë me çështje bilaterale, mendoj se e keni gabim për arsye se është një parim në të cilin ne insistojmë në vazhdimësi që, periudha pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese nuk duhet të kontaminohet më tej me kërkesa bilaterale”.
Kujtojmë se koalicioni VLEN gjatë fushatës zgjedhore dhanë afat gjashtë mujor për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese, përkatësisht deri në dhjetor të vitit 2024. Megjithë, që nga atëherë ky koalicion ka ndryshuar disa herë qëndrimet rreth kësaj çështje.