Vevizimi vazhdon - Gazeta Express
string(16) "vevizimi-vazhdon"

OP/ED

Gazeta Express

25/05/2023 14:14

Vevizimi vazhdon

OP/ED

Gazeta Express

25/05/2023 14:14

Vevizimi po vazhdon me valën e tij. Vala e tij e re, në vazhdën e valës së vjetër, është vgjedhja e vevefiles, Vuljeta Vliut, në vordin e Vomisionit të Vavarur të Vediave

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

Vevizimi po vazhdon me valën e tij. Vala e tij e re, në vazhdën e valës së vjetër, është zgjedhja e vevefiles, Luljeta Aliut, në bordin e Komisionit të Pavarur të Mediave.

Fatkeqësisht, të gjitha kundërshtimet, brenda vendit dhe ato nga jashtë, nga institucione dhe autoritete relevante, si edhe me rastet e kaluara, edhe këtë herë nuk do të kenë kurrfarë ndikimi. Pushteti është i vendosur, marrëzisht i vendosur, t’i shkojë deri në fund vevizimit, idealit të tij bandistesk, dhe me fuqinë që ka për momentin, asgjë dhe askush s’do të mund ta ndalë. Bile, sa më larg që shkon, sa më i pandalshëm që bëhet, aq më tej i zgjerohet caku i mbërritjes. Sa më shumë ndihet triumfues, sa më shumë që e gjen veten ngadhënjyes, sa më shumë që mbulon tokën përposh këmbëve të veta me të humbur dhe të nënshtruar, aq më tepër i rritet dhe zgjerohet fyti i lakmisë.

Në këtë rast, është e qartë, pushteti ndihet si një autoritet – ose e prezanton veten si të tillë, pasi që ka dëbuar gjithçka nga skena ku do të mund të rivalizohej – i pakapshëm, i paprekshëm. Pushteti nuk ka pushtet mbi veten, rreth vetes a poshtë vetes – është i vetëm dhe gjithëpranishëm; pushteti nuk ka përgjegjësi për të dhënë; pushteti nuk kufi për të respektuar; pushteti nuk ka turp, në fund. Me fjalë të tjera, për pushtetin, vërejtjet e të tjerëve, ato nga jashtë, janë përzierje që mund të pranohen vetëm nga pushtete të shantazhuara. Për pushtetin, pakënaqësitë e të tjerëve, sidomos ato brenda vendit, janë vetëm dhe thjesht zili e atyre që e kanë humbur pushtetin me të drejtë dhe llomotitje e atyre që janë të shitur.

Një shqetësim me vete shtesë që sjell vevizimi i happashapshëm dhe këmbëngulës është edhe çartja në delir e përfaqësueve dhe mbrojtësve të pushtetit për ta mbrojtur nga kritikat pushtetin dhe për ta justifikuar vevefilin, vevistin, pra personin e vevizuar, të rehatuar në kolltukun e pushtetit. Duke qenë se vullneti dhe vendimet e pushtetit janë të paprekshme, të pakritikueshme, rrjedhimisht çdo pakënaqësi është e palujeshme dhe e dëbuar në zonën e errët të pështyrjes, përçmimit, poshtërimit dhe ndëshikimit.  

Siç nuk mund të pritej më mirë në një rast të tillë, justifikimet janë klishe të kthyera në qull që të ngjall krupën nga ripërtypja. Derisa banditët e pushtetit të kaluar të sojit të Grabovcit e arsyetonin nepotizmin dhe kapjen e (pu)shtetit me klishe mafioze, si «vlerat familjare», baditët e pushtetit të sotëm kapen pas vevizimit të (pu)shtetit me klishe fashiste, si «dinjteti», «pastërtia», «integriteti», «ndershmëria», «ekspertizmi» i vevefilit, vevistit.   

Në gjendjen ekzistuese, pra, kthetrat e fashizmit veç kanë nisur t’i nxjerrin çaponjtë, përlyerja e të cilëve mund të ndihet shumë shpejt.

E qartë, pra, në fund, për ta përsëritur para se ta përsërisim atë që thuhej e dihej që në fillim: nuk do të mbetet vrimë xhirizi pa u vevizuar.