Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar mbrëmë një video me pamje nga veriu i vendit.
Një pjesë e pamjeve janë nga vizita e fundit e Kurtit në Mitrovicën e Veriut, ku shihet duke kaluar mbi Urën e Ibrit e duke zhvilluar bisedë me karabinierët, pamje të vendosjes së flamurit të Republikës së Kosovës, futja e Kryetarit të Komunës së Leposaviqit në zyre me asistimin e Policisë, e Kurtit duke vënë gurthemelin e një objekti, raporton Express.
Në video është përdorur si audio një pjesë të fjalimit të Kurtit në vitin 2015 nga Manifestimi i Lëvizjes Vetëvendosje kundër “‘Zajednicës’ dhe marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi”.
“Ndryshimet e mëdha fillojnë me guxim. Qytetarët e Republikës tonë dhe qeveria e tyre kanë treguar guxim dhe përkushtim, kanë treguar se si bashkë arrihet dhe fitohet ajo që synojmë e që është e domosdoshme për të gjithë”, thuhet në postim.
Nga opozita kjo është cilësuar si nisje e fushatës zgjedhore. Deputetja e LDK’së, Doarsa Kica-Xhelili e ka quajtur këtë fushatë “në stilin alla James Bond”.
“Sapo i thash dikujt qe këta do ta fillojnë ‘fushatën’ në stilin alla James Bond, se s’kanë me çka tjetër. Tash, ose këta shumë të parashikueshëm, ose unë shumë parashikuese. 😂”, ka shkruar ajo.