Vetëvendosje në “luftë” me Gjykatën, çfarë reagime pati deri tash për aktgjykimin që ende s’ka dalë i plotë - Gazeta Express
string(103) "vetevendosje-ne-lufte-me-gjykaten-cfare-reagime-pati-deri-tash-per-aktgjykimin-qe-ende-ska-dale-i-plote"

Lajme

Gazeta Express

13/08/2025 17:59

Vetëvendosje në “luftë” me Gjykatën, çfarë reagime pati deri tash për aktgjykimin që ende s’ka dalë i plotë

Lajme

Gazeta Express

13/08/2025 17:59

Gjykata Kushtetuese e ka deklaruar të pranueshme kërkesën që e parashtruan PDK-ja dhe LDK-ja për votimin e fshehtë në të cilin këmbënguli për shumë gjatë Lëvizja Vetëvendosje përmes deputetit të saj më të vjetër e më të cilën u bllokua puna në Kuvend. Kushtetuesja i shpalli të pavlefshme të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik meqë deputetët s’e zbatuan aktgjykimin e 26 qershorit dhe konstatoi njëzëri se kryesuesi Avni Dehari e shkeli Kushtetutën me veprimet e tij. Këtë të fundit e urdhëroi që seancën e radhës kur të mbahet të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës e që është zgjedhja e kryeparlamentarit me votimit të hapur. Vendimi u mirëprit nga partitë që parashtruan lëndët, ndërsa hasi në kundërshtim të ashpër nga Lëvizja Vetëvendosje.

Gazeta Express

Çfarë indikacione dhanë deri tash partitë?

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u përgjigj pak me nervozë e jo shumë qartë kur u pyet nga gazetarët nëse do ta respektojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese.

“Duhet ta presim aktgjykimin e plotë. E kemi pasë më 26 qershor, më 8 gusht, po ky më 8 gusht është veç njoftim”, tha Kurti derisa po ecte pa u ndalë për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Por, reagimi i partisë së tij ishte i ashpër dhe akuzoi gjykatën se ka shkelë Kushtetutën.

Për këtë vendim, Vetëvendosje tha se “përbën devijim të rrezikshëm nga roli kushtetues” dhe se “ai është në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve”.

“Gjykata ka zgjedhur të shpikë arbitrarisht rregulla. Shpikja e rregullave tërësisht të reja në mes të procesit dhe ndërhyrja në mënyrë substanciale në kompetencat e Kuvendit është cenim i rendit kushtetues. Kushtetutën e miraton dhe e ndërron Kuvendi. Marrja e kësaj kompetencë duke uzurpuar rolin kushtetues të Kuvendit është goditje e sistemit demokratik që ka burimin te sovrani. Nuk ka forma të tjera të njohura të shkrimit e rishkrimit, miratimit e ndryshimit të Kushtetutës. Ato i bën ose Kuvendi ose Referendumi popullor. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk janë subjekte as të njërës, as të tjetrës. Kur një organ që duhet të jetë gardian i Kushtetutës fillon të prodhojë norma të reja ose të plotësojë norma që nuk janë paraparë as në Kushtetutë, as nga legjislativi, atëherë transformohet në një organ jashtëkushtetues”, tha Vetëvendosje.

Këtë deklaratë e përsëriti në një konferencë për media kandidatja për kryeparlamentare e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e cila po ashtu vazhdon të jetë ministre në detyrë e Drejtësisë.

Haxhiu i doli kundër edhe obligimin që do të duhet ta zbatojë partia e saj për të propozuar kandidatin/en për postin e kryeparlamentarit që duhet të zgjidhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 herë për kandidatin/en e njëjtë.

Haxhiu, e cila ka dështuar të zgjidhet për dhjetëra herë, e vuri në pikëpyetje këtë numër.

“Pse jo dy herë, katër herë, dhjetë herë?”.

Përkundër që Vetëvendosje kundërshton sa herë që aktgjykimet e nxjerra nga Kushtetuesja s’janë në favor të tyre, Haxhiu dha indikacione se do ta zbatojnë këtë aktgjykim.

“Ma tregoni vetëm një rast kur ne kemi thënë që nuk e respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Natyrisht që vendimet e Gjykatës Kushtetuese respektohen”, tha ajo në konferencë.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës iu gëzua këtij vendimi. Kreu i saj, Memli Krasniqi, tha se patën besim në Kushtetutë kur dërguan lëndën.

“Përballë kësaj sjelljeje, ne zgjodhëm rrugën e maturisë, ligjshmërisë dhe besimit në Kushtetutë. Si Grup Parlamentar i PDK-së, e ndërmorëm këtë nismë me përgjegjësi të plotë ndaj qytetarëve dhe rendit kushtetues. Me besim të palëkundur në të drejtën dhe në Kushtetutën e vendit, iu drejtuam Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë fund kësaj krize të qëllimshme dhe të rrezikshme për demokracinë”.

Ai tha se Gjykata Kushtetuese vulosi atë që ata e thanë pas çdo seance: “Lëvizja Vetëvendosje e ka mbajtur peng Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke e bllokuar qëllimisht dhe në mënyrë të planifikuar funksionalizimin e tij për interesa të ngushta pushteti, me veprime tërësisht jashtë kushtetutës”.

Kushtetuesja ka obliguar të gjithë deputetët e Kuvendit që të jenë të pranishëm dhe të votojnë kur partia e parë e hedh në votim emrin e kandidatit të tyre për kryeparlamentar.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese tha se u konfirmua ajo që kishin thënë për bllokadën në Kuvend.

“Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë të plotë kërkesave tona dhe lëndës së hartuar nga LDK. Siç e kishim thënë, sa e sa herë, partia e parë kishte uzurpuar foltoren, me imponim kishte ndryshuar rendin e ditës dhe me kokëfortësi për plot 48 herë kishte shkelur Kushtetutën e Kosovës duke insistuar në votimin e fshehtë – para dhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Nga AAK, nënkryetari Ardian Gjini tha se “fitoi demokracia, u rrëzua diktati”.

“Me këtë Aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese një gjë është e qartë: Kosova nuk është dhe nuk mund të bëhet diktaturë.  VV duhet ta propozojë kandidatin-en për Kryeparlamentar dhe deputetët të votojnë në votim të hapur. Nuk mund të abuzohet në pafundësi me propozim vetëm të një kandidati. Nuk mund të mbahet peng shteti vetëm për ambicie të sëmurë të një personi”, shkroi ai.

Ndërkaq, bashkëpartiakja e tij Time Kadrijaj e pati një pyetje për Vetëvendosjen: “Si do ta gënjeni popullin tash!”.

“Tash si do ta interpretoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Jo që se keni kuptuar vendimin e mëparshëm, por ju ka konvenuar ta bllokoni shtetin. Tash do të ndryshoni po me marre”, shtoi ajo.