Nga 23 korriku deri më 29 gusht të këtij viti, qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të mund të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor.
Lëvizja Vetëvendosje ka ndarë këtë lajm që e dha Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me thirrjen për diasporën që të regjistrohen.
“Fillon periudha e regjistrimit për votim nga jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor. 23 Korrik – 29 Gusht 2025. Regjistrohu dhe bëhu pjesë e vendimmarrjes për komunën tuaj! Si të regjistroheni? Përmes platformës zyrtare të KQZ-së: diaspora.kqz-ks.org ose dërgoni aplikimin përmes postës në adresën e KQZ-së në Kosovë”, thuhet në thirrjen e kësaj partie.
Si në zgjedhje të përgjithshme ashtu edhe në këto lokale, Vetëvendosje synon votat e diasporës. Gjatë zgjedhjeve parlamentare, Vetëvendosje mbajti disa fushata në disa qytete europiane ku jetojnë më shumë kosovarët.