Vetëvendosja dhe të tjerët, apo Të tjerët dhe vetëvendosja - Gazeta Express
string(57) "vetevendosja-dhe-te-tjeret-apo-te-tjeret-dhe-vetevendosja"

OP/ED

Gazeta Express

04/12/2025 10:11

Vetëvendosja dhe të tjerët, apo Të tjerët dhe vetëvendosja

OP/ED

Gazeta Express

04/12/2025 10:11

Kritika që ushtron pushteti (Vetëvendosje) ndaj kritikës që ushtron opozita, mediat dhe mendimi civil, është denigruese poaq sa kritika që ushtrojnë opozita, mediat e mendimi civil. Në mes luftës që ushtrojnë këto dy pole të kundërta (Vetëvendosje – të tjerët) dinjiteti njerëzor është gati i pamundshëm, ndershmëria është qesharake dhe rezistenca e pakuptimtë

Shpëtim Selmani

T’i sqarojmë në fillim gjërat. Për një arsye të vetme. Ballafaqimin me kategorizimet e lexuesve të pamëshirë. Sot çdo gjë në të vërtetë është jo sensitive. Çdo gjë është e rrezikshme. Mjafton një gjysmë hapi në mënyrë të gabuar dhe do të jesh esencë fatale (pra lirshëm mund të përfundoj si tradhtar, pro-serb, pro-rus, anti-amerikan, abuzues, posedues vilash, lëpirës e çka jo tjetër). Pra të përpiqemi t’i sqarojmë – nëse do të mund t’ia dalim. Shpresa që t’ia dalim mbanë është fatkeqe. Por meqë kemi ardhur në këtë pikë. Të mos i përçmojmë pikat. Pranatezat sot janë domosdoshme. 

Pra kurrë nuk i kam takuar një subjekti politik (jam poet dhe atdheu im është era). Me aq sa di. Me aq sa vetëdija ime ma thotë (jam aktor, ndonjëherë i argëtoj njerëzit – madje edhe kryeministrin). Kurrë nuk i kam shërbyer asnjë partie politike. E kurrë nuk kam qenë i pranishëm në një mbledhje të ndonjë partie politike. Me aq sa di. Me aq sa vetëdija ime ma konfirmon. E megjithatë, duke shpresuar të jem i ndershëm në këtë tokë të minuar politike, do të doja të thosha diçka sa i përket kësaj periudhe të vështirë për ta përballuar. Duhesh të jesh i çmendur. Me një dërrasë mangut. Oh, për atë Zot mbase deri tash jo një po nga dy i kemi. Dhe mbi të gjitha, ta simpatizojmë përbuzjen. Si stil jetese.

***

Pra e morëm vesh. Jemi qenie politike. Manipulojmë në një terren politik, e pranuam ose jo. Dhe për këtë arsye mendojmë politikisht e veprojmë politikisht, na pëlqeu ose jo. Më lejoni t’ju them se si ndihem si një ish fëmijë i viteve të 90-ta, si një adoleshent i dalë nga lufta, si një burrë i traumatizuar, si një admirues i lirisë njerëzore, si një qytetar që synon normalitetin dhe jetesën në paqe. 

Ndihem totalisht i eksploatuar. Si qenie njerëzore. Si krijesë politike dhe si një makinë me të drejtë vote. 

Kurrë nuk e kam menduar se do të arrijmë në këtë pikë të frikshme, ku ta japësh një mendim do të thotë të kanalizohesh në një ideologji të caktuar. 

Kritika që ushtron pushteti (Vetëvendosje) ndaj kritikës që ushtron opozita, mediat dhe mendimi civil (ta quajmë kështu)është denigruese poaq sa kritika që ushtrojnë opozita, mediat e mendimi civil (ta quajmë kështu).

Në mes luftës që ushtrojnë këto dy pole të kundërta (Vetëvendosje – të tjerët) dinjiteti njerëzor është gati i pamundshëm, ndershmëria është qesharake dhe rezistenca e pakuptimtë. Po jetojmë në një epokë të ashpër të ofendimit, përçmimit, dhunimit moral. Dhe e gjitha kjo për shkak të partive politike që kanë qeverisur me vite dhe me Vetëvendosjen si kampione e kësaj logjike, e kësaj gjuhe të cilët e kanë ushqyer, e kanë ushtruar, e kanë përvetësuar, e kanë përdorur dhe e kanë bërë gjeniale, sa i përket përdorimit dhe praktikës. Gabimi më i madh i tyre është pikërisht ky besim fanatik i tyre për ta çuar tutje këtë qasje, këtë ide. 

Çfarë i mungoi Vetëvendosjes, ishte zemërgjerësia, liria e tyre për ta pranuar mendimin tjetër, urtësia, respekti për kundërshtarin dhe braktisja e inatit, braktisja e urrejtjes së tyre për çdo gjë që nuk i shkon për shtati kultit të tyre. Ata erdhën këtu ku janë më shumë për shkak të qeverisjeve të mëparshme dhe nuk erdhën këtu, ma ha mendja, që të arsyetohen gjithnjë nën petkun e krahasimit. Ata erdhën sepse votuesit e mjerë besuan se do të duhej të ishin ndryshe. Më vizionarë dhe më të ndritshëm. Fatkeqësisht qeverisja e tyre është kaotike, mbytëse dhe arrogante. Në anën tjetër mendimi tjetër që është kundër establishmentit është poaq i diskutueshëm dhe poaq i padenjë. Pra këto dy pole toksike ushqejnë njëra-tjetrën. Kreu i Vetëvendosjes është shëndrruar në një obsesion të pakuptueshëm për shumicën e kritikëve të tij të zëshëm e në anën tjetër këta kritikë të zëshëm nuk është se nuk kanë të drejtë e nuk është se nuk i shërbejnë partive të tjera politike. Të cilat poashtu kanë fajet, mëkatet dhe paaftësitë e tyre. Kjo atmosferë mbytëse është dominante. E vërteta është zhdukur. Versionet e saj janë të djegura. Dhe shpresa e qytetarit të këtushëm është kalbur. Prandaj rrjedhimisht edhe çdo rezistencë është qesharake dhe armiqësia është kafsha që çdo ditë e më shumë shëndoshet. 

Ata e kanë shkatërruar, ta shkatërrojmë edhe ne. Bile pak. Ata kanë qeverisur keq, ne po përpiqemi ta bëjmë më të mirën. Po përpiqemi. Ata kështu, ne kështu. A ka diçka të mirë kolektive? Jo. Paslufta është epoka e inateve të politikanëve e cila po kurorëzohet shkëlqyeshëm me Vetëvendosjen e cila dështoi ta sjellë një platformë të re, një filozofi të re qeverisëse dhe përqafoi pikërisht standardet që i kishte përdorur për t’i eliminuar subjektet tjera politike dhe për ta fituar besimin e votuesve që të mbytur në hallet e tyre të përditshme, lirojnë rrugën për makinat e zeza gjarpëruese të liderëve tanë. Që lëvizin, lëvizin dhe gjithmonë do të lëvizin, indiferente ndaj halleve të qytetarëve të saj të eksploatuar. Deri në çmendi e cila gradualisht por bindshëm po bëhet normale.

Advertisement
Advertisement
Advertisement