Vetërregullimi në funksion të medias dhe publikut - Gazeta Express
string(49) "veterregullimi-ne-funksion-te-medias-dhe-publikut"

Vetërregullimi në funksion të medias dhe publikut

OP/ED

Gazeta Express

11/01/2024 15:35

Qëllimi i krijimit dhe funksionimit të trupave vetërregullues, siç është Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) nuk është censura ose autocensura, por mbrojtja e parimeve të gazetarisë etike, të përgjegjeshme, profesionale që i respekton të drejtat e njeriut, duke ruajtur lirinë e politikës redaktuese të medias.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Vetërregullimi i mediave është një koncept, në të cilin punonjësit mediaalë e rregullojnë vetë sistemin e tyre. Ky model iu ndihmon mediave që t’iu përgjigjen ankesave të palëve të ndryshme, duke krijuar një balancë ndërmjet lirisë së medias dhe tendencës që ajo të keqpërdoret.

Qëllimi i këtij modeli nuk është censura ose autocensura, por mbrojtja e parimeve të gazetarisë etike, të përgjegjeshme, profesionale që i respekton të drejtat e njeriut, duke ruajtur lirinë e politikës redaktuese të medias. Nëpërmjet këtij modeli, i pranuar gjerësisht në vende demokratike, minimizohet ndërhyrja e shtetit, inkurajohet rritja e cilësisë së medias dhe dëshmohet përgjegjësia dhe rritja e besueshmërisë ndaj tyre.

Trupat vetërregullues përcaktojnë kufijtë ndërmjet të drejtave legjitime të një medie të lirë dhe të drejtave legjitime të njerëzve, të cilët tërheqin vëmendjen e medias. Kjo bëhet duke shqyrtuar ankesat bazuar në një kod të etikës, për të cilin paraprakisht janë pajtuar anëtarët e trupit vetërregullues. Trajtimi i ankesave çon në rritjen e standardeve profesionale.

Në Kosovë koncepti i vetërregullimit është i njohur tash gati dy dekada. Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, i njohur si KMShK, është themeluar qysh në vitin 2005, duke u bërë kështu një ndër të parët në vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërkaq ka filluar punë një vit më vonë.

Atëbotë pjesë e KMShK’së ishin gazetat e përditshme, revistat dhe agjencitë e lajmeve. Me kalimin e kohës, përkatësisht zhvillimin e hovshëm të teknologjisë, në këshill nisën të anëtarësohen edhe media online.

Në Kosovë sot nuk botohet asnjë gazetë e përditshme e shtypur, andaj të gjithë anëtarët e KMShK’së – mbi 50 – janë media online.

Mediat në Kosovë qysh para gati 20 vjetësh e kishin kuptuar se vetërregullimi i tyre nënkupton krijimin e një kulture politike të demokracisë, të pavarur nga politika, përkatësisht “kontrollimin” e shtypit nga shoqëria civile. Që atëherë, KMShK është udhëhequr nga parime etike të përcaktuara qartë dhe ka bërë përpjekje të vazhdueshme që, me aktivitetet dhe vendimet e veta, të përmirësojë cilësinë e të bërit gazetari në vend.

* * *

Vit pas viti, KMShK është forcuar dhe ka shërbyer si adresë e rëndësishme për të gjitha ankesat dhe pakëqënaqësitë e palëve të ndryshme ndaj mediave. Po ashtu, ka shërbyer si platformë për organizimin e aktiviteteve të ndryshme me gazetarë e media, me studentë gazetarie e profesionistë fushash të ndryshme, në funksion të rritjes së cilësisë së përmbajtjeve mediale dhe të raportimit.

Mediat anëtare të KMShK’së i kanë kuptuar me kohë arsyet se pse duhet vetërregulluar. Së pari, me vetërregullim ruhet liria editoriale dhe, po ashtu, lexuesve u lejohet qasje në media.

Vetëm gjatë vitit 2023, KMShK ka pranuar 184 ankesa dhe ka marrë vendime për të gjitha.

Krahasuar me vitin 2022, numri i ankesave është rritur 60 për qind. Ky është një tregues që KMShK konsidrohet adresë serioze për të gjitha çëshjet që kanë të bëjnë me etikën në mediat e shkruara/online dhe jo vetëm.

KMSHK merr vendime për ankesat ndaj mediave bazuar në kodin etik, një kod i përditësuar varësisht zhvillimeve në fushën e gazetarisë dhe të teknologjisë. Sanksioni më i madh ndaj mediave është “gjykimi kritik” për raportimin e mediave, të cilat janë bërë pjesë e KMSHK’së me vullnetin e tyre. Në këtë mënyrë mediat pranojnë që në raste të caktuara nuk kanë gjykuar drejt dhe nuk kanë vepruar sipas standardeve, të cilat janë pajtuar t’i respektojnë.

Në Kosovë, besoj edhe në vendet tjera të rajonit, ekziston një keqkuptim i qëllimshëm ndër qytetarë – se në përgjithësi mediat dhe gazetarët nuk e thonë të vërtetën dhe për këtë nuk ndëshkohen nga askush.

Kosova ka një infrastrukturë të kompletuar ligjore sa i përket mediave e gazetarëve dhe të gjitha pakënaqësitë mund të adresohen qoftë në institucionin rregullues të mediave, qoftë në trupin vetërregullues. Ndërkohë, qytetarët iu drejtohen pikërisht mediave për t’iu ndihmuar që t’i zgjidhin problemet.

Çdo muaj KMShK trajton mesatarisht 15 ankesa nga palët, për mënyrën e raportimit në media. Në këtë mënyrë KMShK ndihmon rritjen e transparencës dhe profesionalizmit në media, por edhe rritjen e besueshmërisë së publikut ndaj mediave.

(Autori është drejtor ekzekutiv i KMShK’së)