Veteranët synojnë shfuqizimin e Gjykatës Speciale deri në qershor - Gazeta Express

Veteranët synojnë shfuqizimin e Gjykatës Speciale deri në qershor

Gazeta Express

06/03/2020 20:54

Gjykata Specia nuk ka nevojë që të marrë miratimin nga Kuvendi i Kosovës për Vazhdimin e mandati, pasi kjo Gjykatë ka mandat derisa të përfundoi punën e saj. Kështu thonë njohësit e çështjeve juridike. Ndërsa nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së thonë se Gjykata Speciale mund të shfuqizohet në muajin qershor.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati thotë se tash e disa muaj janë duke punuar me disa ekspertë vendor e ndërkombëtar, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, shfuqizim ky që sipas Gucatit, mund të ndodh në muajin qershor.

“Unë e di që mund të gjenden shkelje të mëdha që janë bërë gjatë themelimit të Gjykatës Speciale. Jemi në bisedime e sipër me disa amerikanë, britanikë e avokatë vendorë që kanë gjetur shkelje dhe gjasat janë që kësaj gjykate t’i ndërpritet mandati në qershor”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Hysni Gucati.

Kohë pas kohe, temë diskutimi ka qenë edhe vazhdimi i mandatit të kësaj Gjykate. Por, Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se Qeveria dhe Kuvendi e kanë të pamundur të vendosin për vazhdimin e mandatit të Gjykatës Speciale.

“Nisur nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, përkatësisht amendamentin kushtetues për themelimin e Dhomave të Specializuara atëherë përcaktohet që mandati i saj është pesë vjeçare, mirëpo mandati vazhdohet me automatizëm derisa Spacialja njofton Kuvendin dhe Qeverinë se ka përfunduar mandati i saj”, deklaroi Gzim Shala nga KDI.

Në Amendamentin Kushtetues, në nenin Neni 162, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, në paragrafin 13 dhe 14 thuhet:

  1. Mandati i Dhomave të specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të specializuar do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare (5), përveç nëse njoftimi i përfundimit të mandatit në pajtim me Ligjin No. 04/L-274 bëhet më herët.
  2. Në mungesë të njoftimit për përfundim të mandatit sipas paragrafit 12, mandati i Dhomave të specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të specializuar do të vazhdojë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet në përputhje me Ligjin Nr. 04/L-274 dhe në konsultim me Qeverinë.

Diskutimi për mandatin e gjykatës speciale është rikthyer si temë pas shkëmbimit të letrave me sekretarit amerikan Mike Pompeo dhe Presidentit Thaçi, ku ky i fundit i kërkon edhe gjykimin e serbëve, ndërsa zyrtari amerikan ia tërheq vërejtën që çdo lëvizje për pengimin ose shfuqizimin e gjykatës do të ketë pasoja të mëdha.