Vetëm 4 ditë fast-food mjaftojnë për të dëmtuar kujtesën tuaj, paralajmërojnë shkencëtarët - Gazeta Express
string(89) "vetem-4-dite-fast-food-mjaftojne-per-te-demtuar-kujtesen-tuaj-paralajmerojne-shkencetaret"

Ushqimi/Dieta

Gazeta Express

30/09/2025 20:19

Vetëm 4 ditë fast-food mjaftojnë për të dëmtuar kujtesën tuaj, paralajmërojnë shkencëtarët

Ushqimi/Dieta

Gazeta Express

30/09/2025 20:19

Një regjim ushqimor i pasur me ushqime të përpunuara, si patatina, biskota apo ushqime të gatshme, mund të dëmtojë trurin brenda vetëm katër ditësh dhe të shtojë rrezikun për demencë e Alzheimer, sipas një studimi të ri.

Çfarë zbuloi studimi?

Hulumtimi i realizuar nga University of North Carolina School of Medicine dhe i botuar në revistën Neuron tregoi se ushqimet e pasura me yndyrna të ngopura, tipike për një dietë perëndimore (hamburgerë, patate të skuqura etj.), prekin direkt hipokampusin – qendrën e kujtesës në tru.

Tek minjtë e testuar, pas vetëm katër ditësh me një dietë të tillë, qelizat e trurit të njohura si CCK interneurons u bënë tepër aktive dhe nuk arrinin më të përpunonin siç duhet glukozën, duke prishur kështu rrugët e kujtesës.

Ky proces, sipas shkencëtarëve, mund të shpjegojë pse ushqimet e përpunuara lidhen kaq ngushtë me rënien e kujtesës dhe sëmundjet neurodegjenerative.

Mund të kthehet pas dëmi?

Lajmi inkurajues është se dëmet nuk janë të pakthyeshme. Studiuesit zbuluan se ndryshimi i regjimit ushqimor ose periudhat e agjërimit rivendosën përpunimin normal të glukozës, duke përmirësuar menjëherë kujtesën. Pasi minjtë nuk u ushqyen më me ushqime të yndyrshme, ata nuk patën më vështirësi në testet e kujtesës.

Juan Song, udhëheqësi i studimit, tha:

“Nuk prisnim të gjenim një grup kaq specifik e të ndjeshëm qelizash në tru që ndikoheshin drejtpërdrejt pas një ekspozimi kaq të shkurtër ndaj ushqimeve të yndyrshme.

Ajo që na befasoi më shumë ishte shpejtësia me të cilën këto qeliza ndryshuan aktivitetin dhe si kjo ndodhi e vetme mjaftoi për të dëmtuar kujtesën.”

Një kërcënim global

944 mijë persona jetojnë aktualisht me demencë në Britani, një shifër që pritet të arrijë në 1.7 milionë brenda dy dekadash.

Në SHBA, më shumë se 7 milionë persona janë të prekur.

Globalisht, rastet e demencës pritet të triplifikohen duke kaluar mbi 150 milionë deri në vitin 2050.

Alzheimer përbën rreth 60% të rasteve. Demenca tashmë është shkaktari më i madh i vdekjeve në Mbretërinë e Bashkuar, duke tejkaluar edhe sëmundjet e zemrës e goditjet në tru.

Si mund të mbrohemi?

Një dietë e shëndetshme me peshk, perime dhe drithëra mund të vonojë demencën deri në 25%.

Studime të tjera kanë treguar se ndryshimi i stilit të jetesës, trajtimi i kolesterolit të lartë, presionit të gjakut, diabetit dhe shmangia e izolimit social mund të parandalojnë miliona raste të reja.

Një raport i The Lancet sugjeron se gati gjysma e rasteve të Alzheimerit në botë mund të parandalohen nëse adresohen 14 faktorë rreziku, nga obeziteti e pirja e duhanit deri tek humbja e shikimit apo dëgjimit.

Mesazhi i ekspertëve

Studiuesit theksojnë se diagnostikimi i hershëm dhe ndryshimet në stilin e jetesës janë kyçe për të ulur barrën e madhe që sjell demenca. Edhe pse një kurë përfundimtare nuk ekziston ende, ilaçet e reja që po zhvillohen ofrojnë shpresë për ngadalësimin e sëmundjes në fazat e para. /GazetaExpress/