Vetëdija jonë përballë mundësisë - Gazeta Express
string(32) "vetedija-jone-perballe-mundesise"

Vetëdija jonë përballë mundësisë

Gazeta Express

30/01/2020 13:02

Kompleksi i Badovcit si reagim i pavetëdijshëm i viktimës

Shkruan: Ballsor Hoxha

Lexo Edhe:

Çështja e ndërtimit në afërsi të liqenit të Badovcit është kompleks/ngërç i vetëdijes sonë kolektive. I sistemit tonë të përbashkët të vlerave, përballë një jete, një vetëdije dhe një mundësie ndryshe. Ky kompleks është dilema e shoqërisë sonë që e sheh veten si një horizont i veçantë, një qarkim i veçantë. Si horizont i padalje. Si horizont i cili e refuzon ndryshimin dhe kalimin.

Pse nuk e njohim arkitekturën tonë si vetë gjuha, psika dhe pavetëdija (ndërdija) jonë konkrete?

Bazuar në këto foto mund të pyesim a është arkitektura kognicion. Arkitektura si kognicion, perceptim, kujtesë, racionalizim, gjykim i nxjerrë jashtë, i bërë i prekshëm. A është arkitektura refleksion i të brendshmes sonë? Dhe kjo e brendshme e dalë si qenie e jonja, qeniesim i joni. Në të vërtetë arkitektura dhe ne si marrëdhënie e pandashme, e pakufishme, e pandalshme.

Aq më shumë shtrohet pyetja a kalon në ndryshime kjo aftësi njerëzore e njohjes/kognicionit?

Këto tri foto japin tri shkallë gjuhësore, gjuha si piskë. Japin tri shkallë të kognicionit brenda kolektivit tonë. Tri shprehje direkte gjuhe të jashtme dhe të brendshme. Por në të vërtetë theksi i tyre rrënjësisht i rëndësishëm është në pandryshueshmërinë e kësaj gjuhe:

Në foton në të djathtë, shprehet qenia jonë, apo ajo që ishte qenie e jonë që tani është braktisje. Si braktisje e të kaluarës, lënë në dezintegrim dhe harrim të saj. Pavarësisht mënyrës së ardhjes në shprehje të saj, vendosjes së saj. Dhe pavarësisht të të përbrendësuarit të arkeologjisë së dhunës.

Në foton në mes është shembulli i kolektivit tonë në një lagje konzervative, tradicionale. Por shumë më me rëndësi si shprehje e qëndresës sonë. Gjuhë si kognicion i mekanizmit instinktiv mbrojtës të kolektivit. Mirëpo si në foton e parë, po ashtu edhe në këtë foto ankthi për mbijetesë dhe mosbesimi janë krejtësisht evidente. Pandryshueshmëria është evidente. Pikërisht në harrimin dhe mosbesimin kolektiv, në mbindërtimin e qëndresës sonë. Derisa ndërtesat janë rritur lagja/sokaku ka mbetur i njëjtë. Ndryshon madhësia e ndërtesave por jo edhe e rrugëve/hapësirës.

Në foton e tretë nga e majta, shpaloset paradoksi që buron nga konflikti i kognicionit/gjuhës ndërmjet tradicionales dhe asaj që kushtimisht mund të quhet moderne e jona, apo edhe bashkëkohësi e jona. Mbindërtimit mbi dhe në tradicionalen. Mbi qëndresën tonë, por kjo qëndresë duke mos qenë edhe liri apo mirëqenie. Është konflikt i gjuhës sonë shpirtërore. Gjuhë/kognicion i vazhdimësisë së jetës ekzistenciale, jetës për mbijetesë.

Në të vërtetë të tri fotot bashkë, shprehin përhershmërinë e konfliktit. E kjo ndalimit të shprehjes/ngërçit të shprehjes dhe me këtë edhe të përhershmërisë së moskomunikimit. Dhe me këtë të mosbesimit kolektiv.

Duke qenë se shohim përsëritjen e të njëjtës, gjë që shpalos një përhershmëri në të tri fotot, duke marrë parasysh hapësirën kohore që qarkojnë ato, i kthehemi edhe një herë pyetjeve në fillim: a është kognicioni jonë gjuha dhe arkitektura jonë? A është kognicioni jonë horizont i veçantë? Dhe a kalon në ndryshime kognicioni?

Foto të bukura të City Gardens Project

Ose video në https://www.facebook.com/pg/4MGroupUK/posts/

Mosbesimi është i njëjtë me pamundësinë, e kolektivi ynë me këtë – i pamundur. Por foto në këtë prezantim dalin si kundërshtim i këtij fenomeni kosovar. Është vendosje e mundësisë pikërisht në Kosovë. Është puna e 4M Group dhe arkitektit Përparim Rama në Kosovë. Punë që është evidencuar dhe dëshmuar si në këtë kolektiv e edhe globalisht, pikërisht me projektet e tyre në Kosovë.

Rama dhe 4M Group ngadalë janë duke ndërtuar mundësinë, mundësinë e realizimit dhe mundësinë e çlirimit, lirisë së definuar.

Në fotot e projekteve të Përparim Ramës arkitektura del si mundësi. Si gjuhë e hapur dhe që hapë, që ndërton dhe krijon mundësinë. Si mishërim i mirëqenies, të bukurës si çlirim, realizimit të saj si liri e definuar. Në të vërtetë ky kognicion ndryshe, është e kundërta e mosbesimit dhe pamundësisë së horizontit kosovar. Si mundësi e realizimit të qëndrueshmërisë së këtij kolektivi dhe këtij qyteti dhe udhërrëfimit të këtij qyteti.

Me gjithë rrezikun që ky punim të kaloj në sipërfaqësoren e marketingut, ajo që krijon mundësinë, edhe si realizim edhe si udhërrëfim për të ardhmen është në shprehjen që marrim prej gjuhës së punës së 4M Group dhe arkitektit Përparim Rama. Është zinxhiri i përmbajtjes së tyre: në habinë që na shkaktohet prej të bukurës; kjo duke ndërtuar sinqeritetin edhe të ndërtimit edhe të shprehjes së tij/saj; qëndrueshmërinë; dhe themelimin e mirëqenies. 

Duke vazhduar vëzhgimin e gjuhës, kognicionit dhe arkitekturës së Prishtinës ato janë një. Pavarësisht nëse arkitektura është kognicioni jonë – perceptimi, kujtesa dhe gjykimi i një kolektivi – ajo është cikël i ndërthurjes së të jashtmes në njeriun dhe jashtë prej njeriut. Nuk ka as mbrojtje dhe as kufi shprehjeje të njëra tjetrës, në njëra tjetrën. Dhe tutje nuk ka as fund të kësaj gjuhe, shprehjes së saj të brendshme dhe të jashtme në të vërtetë. Dhe gjuha si kognicioni më i lartë njerëzor.

Kjo katrahurë ndërtesash e marrë në qendër të Prishtinës (Vërejtje: foto përdoret këtu pavarësisht pronarëve e edhe arkitektëve të saj, kjo nuk ka të bëj me ata) është ne dhe ne jemi ajo. Është vetë qeniesimi i kognicionit, dhe më tutje të psikes së kolektivit tonë. Pavarësisht nëse mendojmë rreth këtij kondensimi të ankthit që buron prej kësaj fotoje, apo edhe nëse e refuzojmë, ne reflektohemi në atë, jetojmë me atë, jemi të atashuar me atë, dhe udhërrëfehemi në të ardhmen nëpërmjet saj.

Kjo arkitekturë dhe kjo foto, në të vërtetë janë gjuha më e prekshme, më e vërtetë dhe më e qenësishme e kolektivit tonë, apo kontekstit në tërësi duke përfshirë edhe këtë. Është kognicioni më i prekshëm, më i vërtetë dhe më i qenësishëm i një kolektivi. Gjuha (arkitektura), si ndërtim i vetëdijes dhe pavetëdijes (të ndërdijshmes) së një kolektivi.

Ta shohim tanimë këtë katrahurë si gjuhë e psikes/shpirtit tonë kolektiv. Me shembullin e kësaj fotoje, e tërë arkitektura e Prishtinës/Kosovës shpreh dhe ndërton dy stratat e psikes kolektive: vetëdijes kolektive si përbashkim i sistemit të vlerave; dhe pavetëdijes kolektive, si përbashkim i të brendshmes, e kjo sistemit të të përbrendësuarës.

Atëherë të elaborojmë të vetëdijshmen, një herë dhe më pastaj të pavetëdijshmen e këtyre shembujve.

Në vetëdijen tonë, dhe në vetëdijen e secilit që e shikon këtë foto, psika, kognicioni, gjuha jonë, e këtij kolektivi, është aksident. Kjo arkitekturë është aksident – impuls (shtytje e atypëratyshme). Është impuls që shpreh dhuna e përjetuar, në të kaluarën dhe në të tashmen. Është në të vërtetë impuls i pa histori dhe pa të ardhme. Është atypëratyshmëri dhe paqëndrueshmëri. Impulsi si shtytje e pakokë e ndërtimit të qytetit, kahjes së qytetit, udhërrëfimit për të ardhmen, mbetur në atypëratyshmëri.

Duke përsëritur se punimi ka rrezik të kaloj në sipërfaqësoren e marketingut, po e marrim shembull një pikë të – vendosur të mundësisë. Mundësisë së realizimit të çlirimit dhe të mundësisë së realizimit të mirëqenies në këtë kolektiv – Hamam Jazz Bar në Prishtinë. Them vendosur sepse është vlerësuar globalisht dhe shpërblyer globalisht. Në të vërtetë kjo vendosje është pikë riorientimi dhe realizimi të mundësisë (siç u quajt më lartë). Mundësisë së realizimit dhe manifestimit të çlirimit dhe të shprehjes së gjuhës dhe psikes.

Foto të Hamam Jazz Bar

Vetëdija e buruar dhe e përbrendësuar në këtë pikë të vendosur është – kalimi i kognicionit në perceptim të lirisë së mirëqenë dhe të lirisë së mirëqenies. Dhe ky kalim i kognicionit është arritur përmes riorientimit të asaj që ka Kosova, duke përdorur materialin e saj, edhe në ndërtim edhe në estetikë të saj. Gjë që ka arritur të shpërblehet globalisht. Në këtë kjo pikë është pikë vetëdijeje të mbjellë në kolektivin tonë si mundësi, si çlirim dhe si realizim i të ardhmes, apo mundësi e realizimit të të ardhmes.

Prej këtu, kalojmë në shprehjen e të brendshmes dhe të pavetëdijshmes (ndërdijes).

Nëse me sa u tha, ishin shembuj të gjuhës së të vetëdijshmes nga këto shembuj, të shohim stratën e brendshme/pavetëdijen. Siç u cek më lartë, gjuha, dhe arkitektura si kognicion i prekshëm dhe konkret i saj, ka edhe përbrendësimin e saj, në të vërtetë pavetëdijen (ndërdijen) e saj. Dhe për dallim prej vetëdijes, është vetë pavetëdija që na shtynë dhe na jep kahjen, qoftë si kolektiv qoftë si gjuhë e këtij kolektivi.

E fshehura e pavetëdijes, e kësaj gjuhe, e përbrendësuara që del prej kësaj gjuhe nga kjo foto shembull, buron dhe reflekton kaosin e të jetuarit. Aq më shumë të jetuarit nën instinktin e mbijetesës apo të vazhdimit të llojit. Të jetuarit në prag me dezintegrimin dhe zhdukjen.

Kjo pavetëdije në të vërtetë është shumësi shtresash që kalojnë nëpër ne gjersa jetojmë me këtë kaos/aksident/impuls. Në të vërtetë ai shprehet në këto shtresa:

Mosbesim dhe ngërç i gjuhës dhe manifestimit të kolektivit tonë. Gjuhës sonë si konkretizim i shprehjes si ankth i dhunës së përjetuar.

Është vetë drama ekstreme e përjetuar e këtij kolektivi. Mosbesim i viktimës ndaj shndërrimit, dezintegrimit, shkëputjes dhe ndryshimit të sistemit/vetëdijes/kognicionit në vazhdimësi. Vazhdimësia e dhunës së përjetuar ka shkaktuar zhdukjen apo edhe përmbytjen e gjuhës në ngërç shprehjeje, arkitekturës dhe psikes kolektive deri në aksident apo mosekzistencë. Kjo dhunë ka sjellë në mosbesim të njeriut ndaj vetë vetes dhe tjetrit, dhe ndaj vetë sistemit të përbashkët të vlerave (atij aktual apo edhe atij të kaluarës, dhe të të ardhmes).

Kjo më tutje kalon në shtresën më të thellë, e që është kërcënim edhe derisa jetojmë lirinë. Në të vërtetë kërcënimi është i vendosur si gjendje e përhershme që rrënon apo edhe aksidenton çdo ndërmarrje dhe çdo përpjekje. Kalon në ngërç të përpjekjes për hapje, çlirim dhe mundësi, qoftë të të ardhmes dhe qoftë të udhërrëfimit tutje. Pikërisht mosbesimi dhe memecëria, më thellë në pavetëdijen tonë krijojnë gjendjen konstante të kërcënimit, kërcënimit fizik dhe psikik të jetës dhe të vetëdijes. Pamundësia për të komunikuar dhe për të shprehur, apo pamundësia për të përbrendësuar kalimin qoftë të kognicionit dhe të gjuhës, dhe  qoftë edhe të vetëdijes dhe sistemit të vlerave krijojnë dhe mbajnë në përhershmëri kërcënimin dhe rrezikun.

Aq më shumë përhershmëria e gjendjes së kërcënimit si sistem i vetëm i përbashkët krijon më tutje gjendjen radikale dhe radikalizimin e jetës. Radikalja si gjuhë dhe psikë që krijon aksidentin dhe rrënimin po ashtu të atypëratyshëm të tërë sistemit dhe të tërë vetëdijes. Kjo radikale është shprehje e përbrendësimeve të dhunës dhe të përvojës së dhunës. Është ritual i pamundësisë së tejkalimit të dhunës.

Foto të bukura të projekteve të 4M Group në Kosovë…

Kopshtet e Qytetit

Ujëvarat

Kjo është ana tjetër e pavetëdijes. Anë që po hapet si mundësi nga 4M Group dhe arkitekti Përparim Rama. Pavetëdija e këtyre projekteve në të vërtetë është harmoni që flet çlirim dhe mirëqenie. Gjë që është në raport me qëndrueshmërinë dhe përhershmërinë e qytetit në përgjithësi.

Në të vërtetë këto shprehje janë përbrendësuar tanimë në kolektivin tone. Por megjithatë, brenda mosbesimit dhe kërcënimit të vazhdueshëm ku jetojmë ne nuk arrijmë të pranojmë këtë mundësi. Në të vërtetë krijohet paradoksi ku këto projekte prej këtu ku jemi na ngjajnë si të paarritshme. Apo edhe të pamundshme. Gjë që buron nga mosbesimi ynë i të qenit viktimë e dhunës. Mirëpo vetë qeniesimi i tyre në Kosovë e kundërshton këtë mosbesim tonin.

Prej sa u tha, shfaqet dilema a mundësisë së – kalimit të kognicionit, kalimit të tij, perceptimit tonë, gjykimit tonë dhe racionalizimit tonë si çlirim, si mundësi. Dhe pikërisht ky qeniesim i tyre simbolizon rrënjësisht – kalimin, mundësinë e kalimit,– kalimit të kognicionit kulturor.

Ose nji foto e Lakeside Gardens Project

Këto tri shembuj të radhitur kështu, japin gjendjen e shoqërisë sonë në udhëkryq. Gjendjen përballë kalimit të kognicionit tonë kolektiv, mundësisë së kalimit. Në njërën anë është mosbesimi dhe në tjetrën mundësia dhe çlirimi. Në njërën anë është arkitektura si përmbytje, edhe si braktisje, edhe si mbindërtim. Dhe në anën tjetër arkitektura si mundësi.

Gjuha, dhe arkitektura si gjuhë e prekshme, konkrete, e një vetëdijeje dhe pavetëdijeje kolektive që jeton brenda këtij horizonti. Horizont i cili është i bashkuar me të njëjtën dhembje dhe të njëjtën lumturi, dhe dhunë të përjetuar. Është perceptimi, racionalizimi dhe gjykimi mendor që edhe mund të aksidentohet në paradokse konfliktesh që krijojnë inercionin e tyre në dhunë dhe kërcënim dhe jetë radikale. Por edhe mund të jetë mundësi, hapje, çlirim i mirëqenies dhe lirisë.

Kompleksi i këtyre ditëve rreth projektit të ndërtimit në afërsi të liqenit të Badovcit, është konflikt i ankthit të jetuarit nën radikalen e kërcënimit dhe radikalen e – kalimit të kognicionit pa një natyrshmëri, pa një udhërrëfim. 4M Group dhe arkitekti Përparim Rama e kanë të dëshmuar dhe po ashtu edhe të vendosur (siç u cek më lartë) pikërisht natyrshmërinë dhe mundësinë si të vetmen mënyrë të udhërrëfimit. Dashurinë dhe mundësinë e realizimit të hapjes së kësaj vetëdijeje të përmbytur në mosbesim dhe memecëri,  të realizimit të mundësisë së të ardhmes.

Në të vërtetë si gjuha dhe po ashtu edhe arkitektura janë qarkim nga i cili nuk mund të dali pikërisht njeriu që e ndërton atë. Apo thënë më saktë ajo ndërtohet pandalshëm si shprehje e të përbrendësuarës, dhe e të brendshmes, pavetëdija si shtytje e pakontrollueshme e njeriut. Në të vërtetë ajo/ato ndërtohen si një psikë e përbashkët dhe e ndërsjellë dhe me këtë krijojnë shprehjen e saj, gjuhën e saj, dhe shpirtin e saj.

Në të vërtetë protesta kundër projektit të 4M Group dhe arkitektit Përparim Rama dhe ndërtimit në afërsi të liqenit të Badovcit është ankth i të qenit i përmbytur nën këtë horizont të mosbesimit dhe të ngërçit të shprehjes. Në të vërtetë ngërçi i shprehjes i kësaj proteste është pikërisht në refuzimin e të bashkëbiseduarit rreth mundësive dhe rreth pamundësive të këtij projekti të Përparim Ramës. Edhepse kjo protestë ngjason me vetëdijesim dhe reagim të përbashkët, ajo nuk arrin të ndajë mundësinë nga ankthi i saj i mosbesimit. Vetë ankthi i saj i mosbesimit është i shprehur ekzakt në refuzimin për bashkëbisedim, barrikadimin prapa reagimit të tyre, dhe me këtë ngërçin e shprehjes së po të njëjtës.

Për fund, vlen të ceket një nga karakteristikat e 4M Group dhe arkitektit Përparim Rama. Pikërisht në raport me këtë kompleks të këtyre ditëve,  4M Group dhe Përparim Rama janë të njohur për projektimin dhe ndërtimin e bukurisë dhe nga bukuria. Ndër to është edhe hapësira e paraparë brenda projektit të tyre në liqenin e Badovicit për njohuri rreth historisë së Badovcit. Mundësi për njohje të arkeologjisë së Badovcit, biodiversitetit të Badovcit etj, e edhe komunikimit të vetë Badovcit.