Veselaj boton libër për Arbërinë e vjetër - Gazeta Express
string(41) "veselaj-boton-liber-per-arberine-e-vjeter"

Gazeta Express

26/10/2020 12:12

Veselaj boton libër për Arbërinë e vjetër

Gazeta Express

26/10/2020 12:12

Nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”, sapo është botuar libri “Triptikon arbëresh (historikja, estetikja, ikonikja)” i gazetarit dhe studiuesit të letërsisë, Arben Veselaj. Më shumë se një reportazh për katundet arbëreshe të Kalabrisë, ky libër është një “flashback” në disa faqe të historisë së letërsisë shqipe. As krejt reportazh, as udhëpërshkrim i plotë, as rrëfim i pastër – libri i Veselajt mund të konsiderohet edhe një “short history” për botën arbëreshe

“Triptikon arbëresh” është rezultat i një vizite pune që autori ka realizuar vitin e kaluar në Kalabri të Italisë në gjurmim të gjenezës së letërsisë shqipe. Brenda disa kapitujve ky libër përqas sfondin historik (kombëtar), estetik (letrar) dhe ikonik (kishtar) të botës arbëreshe. Në disa kapituj, në të cilët shqyrtohet dialektika historike e letërsisë shqipe, autori sjell një interpretim  johistoricist për disa autorë dhe për vepra të letërsisë arbëreshe.

Lexo Edhe:

Para këtij libri Veselaj e ka trajtuar çështjen arbëreshe edhe në disa shkrime të tjera në shtypin e Tiranës dhe të Prishtinës: “Rrini mirë, arbëreshë!”, “De Rada – një pamje johistriciste”, “Skiroi, autori ikonoklast” etj.

Arben Veselaj është gazetar dhe autor i disa librave. Ka mbaruar studimet themelore dhe ato postdiplomike për letërsi në Universitetin e Prishtinës. Në periodikët letrarë dhe shkencorë shqiptarë ka publikuar kryesisht kritikë dhe studime letrare. Disa nga tregimet dhe esetë e tij janë përfshirë nëpër antologji të ndryshme. Në vitin 2001 botoi librin me poezi “Shpërrallosje”, kurse në vitin 2017 studimin “Tema kadareane”. Më 2017 u laureua nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës me Çmimin Vjetor për Letërsi, në zhanrin e kritikës dhe eseistikes.

Botuesi i këtij libri, Berat Armagedoni, për këtë libër ka shkruar: “Të huajt, udhëtarët shkrimtarë, për Shqipërinë, për bukurinë dhe kulturën e gjerë të saj, sidomos për karakterin e shqiptarëve dhe për besa besën e tyre, kanë shkruar shumë. Por për arbëreshët kanë shkruar më pak. Shumë pak të huajt e shumë pak tanët – udhëtarët shkrimtarë të Kosovës – kanë udhëpërshkruar rrugët që kanë shkelur në Arbërinë e vjetër. Përjashtim, prej të gjithë atyre që kanë parë fshatrat e Kalabrisë, që kanë takuar shqiptarët atje dhe që rrëfejnë vetëm në kafene mbresat e udhëtimit, bën  Arben Veselaj, i cili, me mjeshtri artistike dhe publicistike ka shkruar për udhëtimin e vet në Kalabri, Sicili, Abruzo, Molisja, Kampagnia, Basilikata, Pulja dhe për rrëfimet e të tjerëve që ka dëgjuar për këto fshatra. Ky ekskursion letrar ka dalë nga shtypi sot dhe nga e mërkura mund ta gjeni në libraritë e Prishtinës”.

Ndërsa recensentët e librit, profesor Rrahman Paçarizi dhe Arben Fetoshi, për librin kanë shkruar: “Kur e kam lexuar dorëshkrimin “Triptikon arbëresh” të autorit Arben Veselaj, më kanë ndodhur tri fenomene: 1. Disa herë më është dashur t’u kthehem disa faqeve përsëdyt, pasi më rrëmbente rrëfimi dhe shpesh nuk arrija të parashikoja asgjë – parashikimet më dilnin huq; 2. Jam kthyer në kohë dhe kam bashkëjetuar para së gjithash me De Radën e me Skiroin pikërisht në sheshin e Shën Mitrit e të fshatrave të tjera arbëreshe të Kalabrisë e Sicilisë dhe 3. E kam lakmuar Arbenin që ka shkruar diçka që kam planifikuar së paku nja tri vjet. Një krijim që arrin me i shkaktu këto kokëçarje e kënaqësi, unë e përjetoj si kryevepër. E, ky libër ka histori, letërsi, politikë, peizazh… kulmi është shlyerja e kufijve zhanrorë që Arben Veselaj arrin ta bëjë”. / Dr. Rrahman Paçarizi

“Qasja askematike dhe johistoriciste mbi gjenezën e letërsisë shqipe dhe qytetërimin modern shqiptar, e bën këtë vepër unike dhe me rëndësi në studimet e albanologjisë. Libri “Triptikon arbëresh” i gazetarit dhe studiuesit Arben Veselaj është një adresë e re me vlerë të veçantë për studiuesit dhe hulumtuesit e rinj, mbi shumë të panjohura që qëndrojnë të stivuara e të pluhurosura faqeve të historisë së qytetërimit shqiptar. Rrëfyer nga sfondi i një ekspedite personale prej një gazetari e studiuesi të letërsisë, ky libër përbën sintezën e historisë letrare, politike dhe fetare të botës arbëreshe. Thellësia studimore kombinuar me artin e të rrëfyerit, herë si shtjellim letrar e herë si reportazh, e bën atë shumë të dobishëm edhe për studentët e gazetarisë. Një apoteozë e madhështisë arbëreshe që na mban frymën gjatë të lexuarit”. / Dr. Arben Fetoshi