Verdikti i Nenad Rashiq për çështjen e nënkryetarit serb: S’shoh hapësirë për kandidim, Gjykata i dha të drejtë ekskluzive Srpska’s - Gazeta Express
string(127) "verdikti-i-nenad-rashiq-per-ceshtjen-e-nenkryetarit-serb-sshoh-hapesire-per-kandidim-gjykata-i-dha-te-drejte-ekskluzive-srpskas"

Lajme

Gazeta Express

09/10/2025 17:25

Verdikti i Nenad Rashiq për çështjen e nënkryetarit serb: S’shoh hapësirë për kandidim, Gjykata i dha të drejtë ekskluzive Srpska’s

Lajme

Gazeta Express

09/10/2025 17:25

Me t’u publikuar dje aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese për bllokadën në Kuvend, nisën edhe interpretimet e para. Në verdiktin e saj, Kushtetuesja e bëri të qartë se propozimi për nënkryetarin serb duhet të vijë nga grupi më i madh i serbëve në parlament (Lista Srpska), por pati interpretime se kjo parti, në funksion të konstituimit, duhet ta propozojë për nënkryetar edhe Nenad Rashiqin, që vjen nga një parti tjetër serbe. Rashiq, që e kishte propozuar vetën për këtë pozitë, para se lënda të shkonte në gjykatë, sot i bëri leximin e tij aktgjykimit: “S’shoh hapësirë për kandidimin tim, Gjykata i dha të drejtë ekskluzive Listës Srpska”, tha ai.

Deputeti Nenad Rashiq ka shumë mundësi ta vulos debatin për aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e nënkryetarit serb.

I preferuari i Albin Kurtit për këtë pozitë, të enjten, në një prononcim për media tha se gjykata i ka dhënë të drejtë Listës Srpska dhe se s’ka hapësirë për kandidaturën e tij.

Por, kjo çështje për të cilën u prononcua Rashiq pati diskutime e deklarime të mërkurën mbrëma dhe të enjten.

Fillimisht, në një intervistë me shkrim për Gazetën Express, Enver Hasani, ish-kryetar i Kushtetueses, vlerësoi se gjykata e ka bërë të qartë që kjo pozitë e nënkryetarit i takon grupit më të madh. Duke mohuar mundësinë që deputeti serb, që s’është pjesë e Listës Srpska, Nenad Rashiq, të zgjidhet si nënkryetar i kuvendit përmes vetëpropozimit. 

“Jo. Aktgjykimi, në arsyetimin e tij, është i qartë: përfaqësuesit e shumicës serbe kanë prerogativën kushtetuese për propozim. Ky ka qenë dhe mbetet një e drejtë e pastër kushtetuese, e përcaktuar qartë në tekstin e Kushtetutës së Kosovës. Komunitetet përfaqësohen nga ata deputetë që kanë marrë votat e shumicës së komunitetit përkatës dhe që janë deklaruar, para dhe gjatë zgjedhjeve, se e përfaqësojnë atë komunitet. Rashiqi nuk e përfaqëson komunitetin serb; atë, sot për sot, e përfaqëson partia “Lista Serbe””, deklaroi Hasani në intervistën për Express.

Por, këtë çështje ndryshe e pa Veton Surroi. Ky i fundit, siç e potencoi edhe vetë, ‘’sipas mendimit’’ të tij, vlerësoi mes tjerash se përjashtimi i Rashiqit apo i cilitdo deputet ‘‘nga mundësia e zgjedhjes nënkryetar të komunitetit serb do të ishte pikërisht diskriminim’’.

Ai po ashtu tha se deputetët e parlamentit të Kosovës e ‘‘kanë obligim të zgjedhin një prej dhjetë deputetëve të Kuvendit që përfaqësojnë komunitetin serb’’.

‘‘Gabim thelbësor (apo disa gabime thelbësore rresht), sipas mendimit tim:

1. Nenad Rashiq është një prej dhjetë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që përfaqësojnë komunitetin serb. Ai është i barabartë me nëntë deputetët tjerë në përfaqësimin e komunitetin serb.

2.Nuk ekziston monopol përfaqësimi të komunitetit serb, siç nuk ekziston monopol përfaqësimi të shqiptarëve, boshnjakëve apo cilitdo komunitet tjetër. Komunitetet nuk janë monolite, ato kanë pluralitet interesash, mendimesh,politikash.

3. E drejta parësore e propozimit nuk është e drejtë vetoje; shumica e deputetëve zgjedhin nga kandidatët e propozuar apo nxjerrë si propozim në short dhe kjo është e formuluar ekplicite në Aktgjykim.

4. Aktgjykimi është konsekuent në mbrojtje nga diskriminimi; përjashtimi i cilitdo deputet nga mundësia e zgjedhjes nënkryetar të komunitetit serb do të ishte pikërisht diskriminim.

5. Shumica e deputetëve të Kuvendit kanë obligim të zgjedhin një prej dhjetë deputetëve të Kuvendit që përfaqësojnë komunitetin serb’’, deklaroi Sorroi në reagimin e tij të bërë ndaj komenteve të Hasanit.

Komente për situatë në fjalë ka dhënë edhe vetë i lartpërmenduri Rashiq. Ky i fundit, në një prononcim dhënë në lajmi.net pati një qëndrim të afërt me atë të Hasanit

“Sot e lexova dhe sa e shoh unë, dhe të them drejtën nuk jam ekspert për të zbërthyer vendimin e Kushtetueses, sa e shoh unë gjykata ia ka dhënë të drejtën eksluzive Listës Serbe dhe në këto aspekte, me aq sa e kuptova mirë sitemi i votimit në short nuk ka nevojë që të zbatohet më sepse tashmë është e mundshme disa herë brenda 12 ditësh që të votohet dhe nëse e kuptova mirë, unë nuk shoh hapësirë për kandidimin tim”, tha Rashiq.

“Unë jam besimtar i ligjeve dhe institucioneve, nuk shoh mundësi që unë të jem kandidat dhe nëse gjykata është ashtu e prerë unë nuk po shoh vend për kandidimin tim,” shtoi ai.

Ndryshe, nesër, deputetët e Kuvendit do të mblidhen sërish për të vazhduar punimet e seancës konstituive, ku si pikë është pikërisht zgjedhja e nënkryetarit serb. /GazetaExpress