Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Supreme pasi që kjo e fundit e ka shfuqizuar udhëzimin administrativ të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, me të cilin u pezulluan për 60 ditë shitjet dhe abonimet e arkave fiskale. Në reagimin e LDK-së, ndër tjerash thuhet se kjo parti e ka mirëpritur vendimin e gjykatës, shkruan Gazeta Express.
Po ashtu, në reagim theksohet edhe se Supremja e ka konstatuar se ministrat që janë certifikuar si deputetë, kanë uzurpuar dhe po ushtrojnë funksionet në mënyrën e paligjshme dhe arbitrare pas përfundimit të mandatit.
‘‘Lidhja Demokratike e Kosovës e mirëpret vendimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, që konfirmon qartazi shkeljet e rënda kushtetuese dhe ligjore nga ana e deputetëve të cilët edhe pas certifikimit si deputetë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë vijuar të ushtrojnë funksione ekzekutive, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe Ligjin për Qeverinë. Gjykata Supreme ka konstatuar qartazi se ministrat e certifikuar si deputetë, në çdo nxerrje vendimi veprojnë në shkelje të rëndë ligjore, kanë uzurpuar dhe po ushtrojnë funksionet në mënyrën e paligjshme dhe arbitrare pas përfundimit të mandatit’’, thuhet në komunikatë.
Tutje, theksohet edhe se LDK ka ushtruar 17 kallëzime penale kundër ‘‘ish-ministrave që kanë vazhduar të marrin vendime si ministra në detyrë’’, dhe se, kjo parti nesër do ta deponojë këtë vendim të Gjykatës Supreme në Prokurori si dëshmi e argumentimit të tyre në këto 17 kallëzime penale.
‘‘Në emër të interesit publik dhe rendit demokratik kushtetues, Lidhja Demokratike e Kosovës deri më tani ka ushtruar 17 kallëzime penale kundër ish-ministrave që kanë vazhduar të marrin vendime si ministra në detyrë, ndonëse ishin certifikuar si deputetë, duke ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për të mbrojtur rendin kushtetues dhe integritetin institucional të Republikës. Në këtë drejtim, LDK nesër do ta deponojë këtë vendim të Gjykatës Supreme në Prokurori si dëshmi e argumentimit tonë në këto 17 kallëzime penale’’, shtohet në komunikatë.
Në fund, LDK ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të trajtojë me prioritet këto shkelje, dhe se, Supremja tashmë e ka konfirmuar se kemi të bëjmë me veprime kundërkushtetuese
‘‘LDK-ja kërkon nga Prokuroria e Shtetit që të trajtojë me prioritet këto shkelje të rënda kushtetuese dhe ligjore dhe të veprojë pa vonesë mbi bazën e kallëzimeve penale të parashtruara nga deputetët tanë. Vendimi i Gjykatës Supreme tashmë e ka konfirmuar se kemi të bëjmë me veprime kundërkushtetuese dhe të kundërligjshme. Kosova nuk mund të lejojë më që institucionet e saj të uzurpohen dhe të keqpërdoren për interesa politike të një partie. Shteti i së drejtës nuk mund të jetë viktimë e arrogancës politike. Zbatimi i ligjit nuk është opsional, por detyrim i panegociueshëm për çdo zyrtar publik’’, përfundohet nga LDK-ja. /GazetaExpress