Vendimi i Qeverisë thotë se gratë shtatzëna duhet të lirohen nga puna në shkolla, Nagavci e thotë pak më ndryshe - Gazeta Express

Vendimi i Qeverisë thotë se gratë shtatzëna duhet të lirohen nga puna në shkolla, Nagavci e thotë pak më ndryshe

Lajme

Gazeta Express

20/04/2021 14:45

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci, po thotë se vendimi i Qeverisë për krijimin e mundësisë së punës nga distanca për gratë shtatzëna duhet të zbatohet, duke u kujdesur për realizimin e procesit mësimor. Por, vendimin e Qeverisë, Nagavci po e interpreton pak më ndryshe, raporton Express

Nagavci ka shkruar në Facebook se Ministria e Arsimit sot ka kërkuar nga drejtoritë komunale të arsimit numrin e saktë të të punësuarave shtatzëna në institucionet edukativo-arsimore, që janë deklaruar se do ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

“Sot kemi kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit numrin e saktë të të punësuarave shtatzëna në Institucionet Edukativo Arsimore, që janë deklaruar se do të shfrytëzojnë këtë mundësi. Kemi kontaktuar dhe me Fakultetin e Edukimit për bashkëpunim të shtuar dhe të gjithë bashkë duhet të angazhohemi që asnjë orë mësimi të mos humbet”, ka shkruar Nagavci.

Nagavci tutje thotë se si punonjëse e arsimit, pret përgjegjësi ndaj punës dhe shqyrtim me korrektësi të kësaj të drejte, e sidomos nga mësimdhënëset shtatzëna që mund ta kenë kaluar infektimin me COVID-19.

“Si punëtore e arsimit, kolege e mësimdhënësve, pres përgjegjësi ndaj punës dhe shqyrtim me korrektësi e të drejtës së njohur, sidomos nga mësimdhënëset shtatzëna që mund të kenë kaluar infektimin me Covid-19 dhe/ose konsiderojnë që nuk janë në rrezik të infektimit”, ka shkruar Nagavci.

Por, vendimi për të cilin po flet Nagavci, nuk thotë se gratë shtatzëna duhet të deklarohen nëse do ta shfrytëzojnë këtë mundësi apo jo.

Në vendimin e Qeverisë së Kosovës, thuhet se të gjitha punëtoret shtatzëna duhet të lirohen nga obligimi për t’u paraqitur në punë duke iu krijuar mundësinë që të punojnë nga shtëpia.