"Vendimi i Kushtetueses duhet zbatuar pavarësisht pakënaqësive" - Gazeta Express
string(61) "vendimi-i-kushtetueses-duhet-zbatuar-pavaresisht-pakenaqesive"

Lajme

Gazeta Express

19/08/2025 14:48

“Vendimi i Kushtetueses duhet zbatuar pavarësisht pakënaqësive”

Lajme

Gazeta Express

19/08/2025 14:48

Derisa Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur pakënaqësi ndaj aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit, njohës të çështjeve juridike dhe politike theksojnë se aktgjykimet e Kushtetueses janë të obligueshme për zbatim dhe mosrespektimi i tyre do ta fuste vendin në një kaos juridiko-politik shumë të rrezikshëm.

“Vendim arbitrar që cenon demokracinë”, e ka quajtur partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me bllokadën lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, teksa ka shprehur pakënaqësi për këtë vendim. Duke komentuar vendimin e Kushtetueses dhe kritikat për të nga Vetëvendosje, profesor Mazllum Baraliu, thotë për Radio Kosovën se aktgjykimet e Kushtetueses janë të obligueshme dhe duhet të zbatohen.

 “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, çfarëdo qofshin ato, janë të obligueshme për t’u zbatuar. Dhe, pasi të hyjnë në fuqi vendimet e tilla paraqesin zbatim, duke u bërë pjesë e Kushtetutës së vendit. Gjyqtarët, sigurisht e interpretojnë çështjen ashtu siç mendojnë se është më së miri dhe e kanë të garantuar atë të drejtë”, tha ai.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Gzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se moszbatimi eventual i vendimit të Kushtetueses do të ishte shumë i dëmshëm për vendin.

“Për nga fuqia juridike, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë ekuivalente me Kushtetutën e Kosovës. Nuk dua të besoj se do të vijmë deri në situatën kur do të vihet në dyshim çështja e zbatimit të aktgjykimeve të Kushtetueses. Kjo do të ishte jashtëzakonisht e dëmshme për sistemin dhe rendin kushtetues”, tha Shala.

Në një shoqëri demokratike është normale të kundërshtohen e të ketë polemika për vendimet e Kushtetueses, thotë njohësi i rrethanave politike, Melazim Koci. Megjithatë, ai thekson se vendimi duhet zbatuar.

“Ne nuk jemi monarki dhe kritikat i marr si krejt normale. Por, është esenciale që vendimi të zbatohet, pavarësisht pakënaqësive të mundshme. Nëse nuk do të zbatohet Kosova do të futet në një fazë të anarkisë, të kaosit juridiko-kushtetues e politik. Pra, në një terren krejt të panjohur e shumë të rrezikshëm”, tha ai.   

Nga 15 prilli kur filloi seanca konstituive e Kuvendit e deri më 26 korrik, janë mbajtur 54 vazhdime të seancës. E radhës, është caktuar të mbahet të mërkurën, në orën 11:00. Kjo do të jetë hera e parë që deputetët mblidhen pas aktgjykimit të ri të Gjykatës Kushtetuese.