Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të 7 gushtit 2025, duke e cilësuar atë si konfirmim të plotë të qëndrimit të PDK-së se Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur peng Kuvendin për muaj me radhë, në kundërshtim me Kushtetutën.
“Sot, Gjykata Kushtetuese vulosi të vërtetën që për muaj me radhë e kemi ngritur me zë të lartë: Vetëvendosje e ka bllokuar qëllimisht dhe në mënyrë të planifikuar funksionalizimin e Kuvendit për interesa të ngushta pushteti, me veprime tërësisht jashtë kushtetutës,” ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka theksuar se me këtë vendim, me Aktgjykimin e 7 gushtit 2025, Gjykata shpalli të pavlefshme të gjitha veprimet parlamentare arbitrare nga 27 qershori deri më 26 korrik; konstatoi se deputetët nuk kanë zbatuar vendimin kushtetues të 26 qershorit; se veprimet e Kryesuesit të seancës ishin antikushtetuese; dhe se Komisioni për Votim të Fshehtë ishte i jashtëligjshëm.
“Ky është konfirmim i plotë se bllokada, shkeljet dhe veprimet arbitrare të Lëvizjes Vetëvendosje ishin jo vetëm antikushtetuese, por edhe thellësisht të dëmshme për demokracinë dhe shtetin tone. Për gjashtë muaj, qytetarëve iu mohua përfaqësimi, institucioneve iu ndal funksioni, e vendit iu imponua stagnimi,” ka shtuar ai.
Krasniqi tha se përballë kësaj sjelljeje, PDK ka zgjedhur rrugën e maturisë dhe të ligjshmërisë. “Si Grup Parlamentar, iu drejtuam Gjykatës Kushtetuese me besim të palëkundur për t’i dhënë fund kësaj krize të qëllimshme e të rrezikshme për demokracinë. Kosova nuk mund të ecë përpara me institucione të paralizuara dhe me rregulla të shkelura sipas tekave të pushtetit. Prandaj, le të jetë ky një mësim i qartë për të gjithë, e veçanërisht për ata që nuk kanë ditur kurrë ta respektojnë shtetin: Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe për lidership që respekton rregullat, jo që i shkel ato për pushtet. Ne do të jemi gjithmonë në anën e Kushtetutës dhe të qytetarëve”, ka thwnw ai.
Duke e cilësuar vendimin si fitore për Kushtetutën, Kuvendin dhe qytetarët, Krasniqi përfundoi:
“Ata që zgjodhën krizën, dështuan. Ne që zgjodhëm Kushtetutën, fituam.”