string(114) "vendimi-i-cas-it-ne-disfavor-te-kosoves-ishte-i-pritur-e-paralajmeronte-ish-avokati-i-ffk-se-me-arsye-te-cuditshme"

Sport

Gazeta Express

05/05/2025 21:43

Vendimi i CAS-it në disfavor të Kosovës ishte i pritur, e paralajmëronte ish-avokati i FFK-së me arsye të çuditshme

Sport

Gazeta Express

05/05/2025 21:43

Gjatë ditës së sotme, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) mori vendim që të refuzojë kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), për ndeshjen me Rumaninë.

FFK-ja ishte ankuar për ndeshjen e 15 nëntorit të vitit të kaluar ndaj Rumanisë, në kuadër të Ligës së Kombeve, shkruan “Gazeta Express”.

Shtëpia e futbollit kosovar kishte kërkuar që UEFA ta mbajë përgjegjëse Rumaninë për veprimet në atë ndeshje dhe kishte kërkuar që t’i anulohet gjoba prej 6 mijë eurosh.

Mirëpo, CAS-i vendosi që të refuzojë kërkesën e FFK-së, duke lënë në fuqi vendimin e UEFA-s. Madje, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ka vlerësuar se lojtarët e Kosovës janë fajtorë, duke thënë se “e kanë lëshuar fushën në mënyrë të njëanshme”.

“Paneli shqytrtoi provat dhe arriti në përfundim se lojtarët e Kosovës morën vendim të njëanshëm për të lënë fushën, në mungesë të një udhëzimi të vlefshëm nga gjyqtari dhe ishin përgjegjës për ndërprerjen e ndeshjes. Paneli pranoi se vendimi i lojtarëve të Kosovës u mor për shkak të disa brohoritjeve. Ndërsa ato ishin të papranueshme dhe ishin subjekt i sanksioneve të tjera nga UEFA, ato nuk mund të justifikojnë braktisjen e fushës nga ekipi kombëtar i Kosovës. I takonte gjyqtarit të vendoste për hapat që duheshin ndërmarrë”, thuhet në vendimin e CAS-it.

UEFA, përveç gjobës prej 6 mijë eurosh, kishte marrë vendim që ndeshja t’i takonte Rumanisë, vendim që e kishte marrë më 20 nëntor 2024.

Sidqoftë, vendimi i CAS-it nuk ishte i papritur, sepse këtë e kishin pritur edhe vetë ata që e kishin dërguar rastin në Gjykatë – drejtuesit e FFK-së.

Madje, kjo ishte një nga arsyet kryesore pse ish-avokati i FFK-së, Taulant Hodaj – dikur edhe zv. Sekretar i FFK-së – kishte vendosur ta ndërprejë bashkëpunimin me FFK-në.

Në letrën e dorëheqjes, që e kishte siguruar ekskluzivisht “Gazeta Express”, Hodaj e akuzonte kryetarin e FFK-së, Agim Ademin e vetë FFK-në për sabotim të qëllimshëm të këtij rasti.

“Sabotimi i rastit në CAS Lozanë kundër Rumanisë: Qysh në fillim keni hezituar dhe vendosni pengesa të pashpjegueshme, tani së fundi keni vendosur të hiqni nga dëshmia dëshmitarët kryesorë – lojtarët, trajnerin dhe mua – duke dobësuar qëllimisht çështjen. Ky veprim i ka dëmtuar rëndë shanset e Kosovës për të arritur drejtësi”, thoshte Hodaj në letrën e siguruar nga “Gazeta Express”./GazetaExpress/