Anëtari i NISMA’s së, Haxhi Hoti do të kthehet sërish në paraburgim për kërcënimin publik që bëri në llogarinë e tij në Facebook, ndaj kandidatit për Kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.
Gjykata e Apelit ka vendosur sot që ish-kandidati për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, të kthehet në paraburgim, duke aprovuar kështu kërkesën e Prokurorisë së Shtetit që t’a shfuqizojë masën e sigurisë që Gjykata Themelore e Prishtinës ndërmori javën e kaluar, duke e lënë të lirë Hotin.
Këtë masë të sigurisë, Apeli e ka zëvendësuar me 30 ditë paraburgim për Hotin, duke ia llogaritur atij si masë arresti që nga data e arrestimit.
Ndryshimin e masës së sigurisë e ka konfirmuar për Gazetën Express, zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.
“Është aprovuar ankesa e prokurorisë, pas vendimit të gjykatës së shkallës së parë. Njeherit, të pandehurit që po i referoheni, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, duke u llogaritur nga dita e arrestimit”, pohoi Jashari.
Ndryshe, Haxhi Hoti ishte arrestuar më 28 dhjetor 2019.
“Albin Kurti i ika 2 rrugë: ose ta lëshojë Kosovën ose të vritet”, kishte shkruar Hoti në profilin e tij në Facebook të cilin e kishte fshirë më pas me arsyetimin se ka ndodhur gabim teknik”, kishte shkruar Hoti.
Të nesërmen, Hoti i ra pishman për fjalët e tij, dhe pak para se të arrestohej kishte kërkuar falje, duke thënë se ka qenë gabim teknik./Gazeta Express