Gjatë ditës së djeshme, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) mori disa vendime të rëndësishme lidhur me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025. PZAP-ja miratoi ankesën e Listës Serbe, me të cilën ky subjekt politik kishte kundërshtuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për moscertifikimin e rezultateve përfundimtare për kandidatët e saj për deputetë.
Në arsyetimin e publikuar dje, PZAP vlerësoi se KQZ-ja nuk kishte ofruar bazë ligjore për refuzimin e certifikimit të rezultatit për Listën Serbe. Sipas panelit të gjyqtarëve, vendimi i KQZ-së ishte i mangët, i paplotë dhe nuk trajtonte çështjet thelbësore, as faktet vendimtare që lidhen me përmbushjen e kushteve ligjore për shpalljen e rezultateve përfundimtare.
“Vendimi i KQZ-së nuk përmban arsyetim të mirëfilltë ligjor dhe nuk ofron vlerësim të duhur të fakteve në raport me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregulloren nr. 13/2024 për rezultatet zgjedhore”, thuhet në vendimin e PZAP-së të publikuar dje.
Në bazë të këtij vlerësimi, PZAP-ja vendosi ta ndryshojë vendimin e KQZ-së dhe të shpallë rezultatin përfundimtar për Listën Serbe dhe kandidatët e saj, duke theksuar se ky vendim garanton respektimin e procedurave ligjore dhe një proces të drejtë dhe të barabartë për subjektin politik që, sipas PZAP-së, ka përmbushur kushtet ligjore.
Vendimi i djeshëm i PZAP-së vjen pas reagimeve të forta ndërkombëtare që u nxitën nga moscertifikimi i Listës Serbe. Pas reagimit të Shteteve të Bashkuara një ditë më herët, edhe Bashkimi Evropian dhe organizata ndërkombëtare si OSBE-ja shprehën shqetësim lidhur me këtë çështje.
Po gjatë ditës së djeshme, anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, shprehu pakënaqësi ndaj vendimit të PZAP-së, gjatë paraqitjes së tij në emisionin “60 minuta” në KTV.
Ndërkohë, PZAP-ja refuzoi dje gjithsej gjashtë ankesa të tjera, përfshirë ankesën e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, që kishte të bënte me rreth 23 mijë pako me fletëvotime të ardhura nga jashtë, si dhe ankesat e tri subjekteve politike të komuniteteve joshumicë: NDS, PAI-PDAK-LPB dhe Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës.
Pas vendimeve të djeshme të PZAP-së, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme. Vetëm në rast se edhe Supremja i refuzon këto ankesa, do të hapet rruga për certifikimin përfundimtar të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025.