Gjykata e Landit në Bielefeld ka dhënë një vendim të rëndë ndaj familjarëve të boksierit të vrarë Besar Nimani.
Vëllai i tij, Berat Nimani, është dënuar me burgim të përjetshëm për tentativë vrasjeje dhe sulm të rëndë, ndërsa motra e tij është dënuar me pesë vite burg.
Sipas gjykatës, Berat Nimani kishte qëlluar mbi anëtarët e familjes së personit që vrau vëllain e tij, duke vepruar nga “përbuzja e thellë” ndaj tyre – një qëndrim i reflektuar edhe në letrat që ai kishte dërguar nga burgu.
Atmosfera në sallën e gjyqit ishte e rëndë, me të pranishme nënën dhe motrat e të pandehurve, të cilat reaguan me zë të lartë ndaj vendimit. Nëna shpërtheu në lot dhe u largua nga salla, shkruan Gazeta Express.
Konflikti mes dy familjeve, njëra shqiptare dhe tjetra kurde, ka vite që zgjat. Dyshohet se përplasja lidhet me çështje droge, ndërsa gjithçka kulmoi në mars 2024 kur boksieri Besar Nimani u qëllua për vdekje në Bielefeld.
Seanca finale u shty disa herë për shkak të mocioneve të mbrojtjes, të cilat kërkuan rrëzimin e akuzës për vrasje.
Avokatët pretenduan se Berati veproi në “vetëmbrojtje”, pasi familja rivale e kishte kërcënuar vazhdimisht. Megjithatë, gjykata rrëzoi të gjitha mocionet dhe la në fuqi dënimin maksimal. /GazetaExpress/