Kuvendi me Kryeparlamentar pas 59 seancave, VV realizon “të drejtën” e saj me 16 vota të opozitës dhe pasi i ndërroi 3 kandidatë - Gazeta Express
string(137) "vendi-me-kryeparlamentar-pas-59-seancave-vv-realizon-te-drejten-per-kryeparlamentar-me-16-vota-te-opozites-dhe-pasi-i-nderroi-3-kandidate"

Lajme

Gazeta Express

26/08/2025 12:47

Kuvendi me Kryeparlamentar pas 59 seancave, VV realizon “të drejtën” e saj me 16 vota të opozitës dhe pasi i ndërroi 3 kandidatë

Lajme

Gazeta Express

26/08/2025 12:47

Më shumë se gjashtë muaj pas zgjedhjeve, ngërçit të krijuar për pozitën e kryetarit të Kuvendit, i erdhi fundi. Në seancën që nisi pak pas orës 11:00, deputeti i Vetëvendosjes Dimal Basha, pasi u propozua për herë të dytë, arriti të marrë votat e mjaftueshme për kryetar të Parlamentit.  73 vota ishin ‘pro’ Bashës, 30 ishin ‘kundër’, dhe 3 të tjera ‘abstenime’, shkruan Gazeta Express. 

Deri më tani VV s’ka mundur të sigurojë më shumë se 57 vota. Edhe pse kuvendi nuk e ka publikuar se si është votuar i bie që për të arritur numrin 73 VV’së i janë dashur edhe 16 vota.

Edhe pse votimi i sotëm ishte i shpejtë dhe u bë pa përplasje, tentimet e situata më herët s’ka qenë të tilla.

Nga zgjedhjet e 9 shkurtit, dhe procesit të zgjatur të numrimit të votave nga ana e KQZ-së, qytetarët e Kosovës panë një krizë të thellë politike.

Fillimisht pati telashe me atë që njihet si komisioni mandatave, i cili s’u funksionalizua në tentimin e parë, porse u deshtë seanca e radhës. Megjithatë, kjo ishte një histori e shlkurtër  në atë që do të pasonte në muajt e radhës.

VV-ja propozoi Albulena Haxhiun për kryetare të kuvendit. Qysh në fillim ajo u kundërshtua ashpër nga partitë e tjera, duke u cilësuar mes tjerash edhe si përçarëse. Pavarësisht kësaj, VV-ja nuk reflektoi, dhe vazhdoi me propozimin e njëjtë për seancat e radhës.

Pas disa tentimesh të dështuara, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, për të cilin më vonë Kushtetuesja konfirmoi se ka shkelur Kushtetutën, propozoi që votimi për kryetar të bëhet me votim të fshehtë, gjë për të cilën duhej krijimi i një komisioni. Edhe këtu, ‘sharra hasi në gozhdë’.

Partitë e tjera sërish kundërshtuan, duke thënë se ky propozim i VV-së ishte kundërkushtetues. Kësisoj, për disa seanca me radhë, ‘shfaqja’ ishte e njëjtë.

Deputetët shkonin në sallë, VV-ja ftonte partitë për propozimin e anëtarëve për komisionin e fshehtë, të njëjtat e kundërshtonin, dhe kësisoj, Dehari mbyllte seancën për t’i ftuar deputetët në mbledhje pas dy ditësh.

Ky ngërç dhe skemë e njëjtë bëri që partitë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Së pari ishte AAK-ja ishte ajo që iu drejtua kësaj gjykate lidhur me komisionin për votim të fshehtë, e pastaj ishin edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Të dy këto lëndë u dërguan në periudha të ndryshme kohore. Për të parën, atë të AAK-së, Kushtetuesja nxori aktgjykim, porse nuk ishte i mjaftueshëm që ta zgjidhte situatën. U deshtë vetëm aktgjykimi i dytë, për lëndën e PDK-së dhe LDK-së, që rruga drejt zhbllokimit të bëhej me e qartë.

Në këtë të dytin, Kushtetuesja ndër tjerash urdhëroi që votimi të bëhej në mënyrë të hapur e jo të fshehtë siç kërkonte VV-ja; dhe se, urdhëroi që një kandidat mund të propozohej vetëm deri në tri herë.

Pas këtij aktgjykimi rifilluan edhe seancat, të cilat ishin ndërprerë me urdhër të Gjykatës Kushtetuese për një kohë deri në nxjerrjen e aktgjykimit për lëndën e dy partive, PDK dhe LDK.

Në seancën e parë, VV-ja në fillim propozoi Albulena Haxhiun, e cila sërish dështoi të marrë votat. Pas kësaj, nga kjo parti u propozua Donika Gërvalla. Edhe kjo e fundit s’i morri votat që janë të nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare.

Në seancën e radhës, VV propozoi Hekuran Muratin. As ky, si dy të lartpërmendurat, s’i mori votat.

Pas kësaj, në atë që do të ishte seanca e tretë pas aktgjykimit të Kushtetueses, VV-ja propozoi, edhe njëherë Hekuran Muratin, i cili dështoi sërish. Më pas u propozua Arbërie Nagavci duke dështuar edhe kjo. E në fund të seancës, VV-ja propozoi Dimal Bashën. Ky i fundit, në këtë seancë nuk mori votat që kërkohen.

Kjo situatë ngjalli debat në vend, ku kritika të shumta iu drejtuan PDK-së, pasi që kjo e fundit kishte thënë se do të votonin kandidatët e VV-së që s’kanë qenë në ekzekutiv, e që në rastin e Bashës s’ndodhi.

Megjithatë, situata ndryshoi sot, në seancën e katërt pas aktgjykimit.

Sot VV-ja propozoi sërish deputetin Basha për kryetar të kuvendit, dhe i njëjti, me votat e disa deputetëve të PDK dhe disa deputetëve të AAK arriti të zgjidhet kryetar i parlamentit. VV kishte këmnëgulur se nuk e ndërron Albulena Haxhiun ndërsa partitë nga “opozita” kishin insistuar që nuk e votojnë asnjë që ka qenë ministër në Kurti 2.

Sido që të jetë zgjedhja e Bashës sot, i jep fund një bllokade të krijuar për muaj, gjatë të cilëve, pavarësisht thirrjeve të shumta, VV-ja nuk kishte reflektuar në qëndrimet e saja. U deshtë që Kushtetuesja ta nxjerrë aktgjykimin e dytë, që diçka e tillë të ndodhë. /GazetaExpress