Veliu thotë se Këshilli i Sigurisë do të mblidhet për rastin e Karaçevës - Gazeta Express
string(70) "veliu-thote-se-keshilli-i-sigurise-do-te-mblidhet-per-rastin-karaceves"

Veliu thotë se Këshilli i Sigurisë do të mblidhet për rastin e Karaçevës

Gazeta Express

14/08/2020 12:36

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka thënë se është duke kompletuar informacionet rreth hyrjes së xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës dhe pastaj do të raportojë para deputetëve në Komisionin për Siguri apo edhe në seancë. Në një takim me kryetarin e Pejës Gazmend Muhaxheri, Veliu ka paralajmëruar edhe një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

“Unë jam duke e kompletuar informacionin në tërësi se çka ka ndodhë në Karaçevë, e kam pasë një takim me komandantin e KFOR-it me të cilin e kam diskutuar situatën dhe i kam marrë informacionet e drejtpërdrejta nga ai, jemi në pritje të një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në të cilën do ta diskutojmë situatën e krijuar dhe çka ka ndodhë në Karaçevë, dhe pas kompletimit të të gjitha informacioneve unë sigurisht do të raportoj në komisionin parlamentar por nëse është nevoja edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Veliu në një konferencë për media.

Lexo Edhe:

Ai ka thënë se nuk ka informacion akoma për ftesë për interpelancë.

Veliu ka thënë se komandanti i KFOR-it e ka pranuar kërkesën e tij që Policia e Kosovës të patrullojë e sinkronizuar me KFOR-in në atë zonë por që ka mbetur të diskutohet për veprim me drejtorin e PK-së.

“Në takim me komandantin e KFOR-it kam kërkuar që patrullimet e njëjta të sinkronizuara dhe të tjera sikurse bëhen me forcat serbe të bëhen edhe me Policinë e Kosovës, komandanti i KFOR-it e ka pranuar me kënaqësi kërkesën time dhe ka mbetur për t’u diskutuar edhe me drejtorin e policisë për detaje të veprimit”, u shpreh ai.

Ditë më parë, Veliu e kishte quajtur rutinore dhe të sinkronizuar me forcat e KFOR-it hyrjen e xhandarmërisë serbe në brendi të territorit të fshatit Karaçevë në Kamenicë.