Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar zyrtarisht Presidentin Bajram Begaj për vakancën në krye të Bashkisë së Tiranës, si dhe në pesë bashki të tjera: Vlorë, Berat, Tepelenë, Mat dhe Cërrik.
Kjo lëvizje vjen një ditë pasi ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, depozitoi një ankimim në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar shkarkimin e tij.
Ekspertët të Kushtetutës shpjegojnë se qeveria duhet të kishte respektuar formalisht afatin 15 ditor që parashikohet për ankimi, edhe në rast se nuk do të ishte ndërmarrë një akt i tillë.
Nga ana e saj, Gjykata Kushtetuese e ka regjistruar çështjen duke caktuar edhe relatorin. Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se publikimi i kërkesës së Veliajt është i barasvlershëm me një njoftim publik, por nuk pengon procedurat për shpalljen e zgjedhjeve nga Presidenti. Ajo ka lënë të nënkuptohet se nuk ka arsye se përse duhet të njoftojë qeverinë apo presidentin për ankimin e Veliajt.
Tani, Presidenti Begaj ka 48 orë kohë për të vendosur nëse do të shpallë zgjedhjet e pjesshme në këto gjashtë bashki, përfshirë Tiranën, apo nëse do të presë vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.Pas më shumë se 5 muaj mungesë në detyrë, Këshilli Bashkiak i Tiranës kërkoi shkarkimin e tij, i cili më pas u zyrtarizua nga qeveria.Ndërkohë, në Asamblenë e Partisë Socialiste më 11 shtator, Rama propozoi Ogerta Manastirliun si kandidate për Bashkinë e Tiranës.