Vedat Muriqi po e zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm në La Liga, duke u shndërruar në njërin prej sulmuesve më efikasë të kampionatit spanjoll.
Me 15 gola të realizuar, përfaqësuesi kosovar renditet si golashënuesi i dytë më i mirë në La Liga, menjëherë pas superyllit francez Kylian Mbappé, i cili i ka shënuar 22 gola.
Forma e shkëlqyer e Muriqit nuk ndalet vetëm në Spanjë, shkruan “Gazeta Express”.
Me këtë shifër golash, ai pozicionohet gjithashtu si golashënuesi i pestë më i mirë në pesë ligat më të forta evropiane, një arritje e madhe që konfirmon nivelin e lartë dhe rëndësinë e tij në futbollin kontinental.
Lista e golashënuesve më të mirë në Evropë udhëhiqet nga Kylian Mbappe i Real Madridit dhe Harry Kane i Bayern Munichut me nga 22 gola, e pasuar nga Erling Haaland i Manchester Cityt me 20 dhe nga Igor Thiago i Brendfordit me 16 gola, të cilët gjenden pikërisht përpara yllit kosovar.
Në përgjithësi, Muriqi i ka realizuar 50 gola me fanellën e Mallorcas dhe e sheh veten vetëm katër gola prapa liderit të padiskutueshëm të klubit ishullor, Samuel Eto’o.
Falë forcës fizike, lojës ajrore dominuese dhe instinktit të lindur për gol, “Pirati” po vazhdon të jetë lider ofanziv për skuadrën e tij, duke e tërhequr vëmendjen e mediave dhe tifozëve në gjithë Evropën.
Sezoni aktual po e vendos Vedat Muriqin në mesin e sulmuesve elitarë të futbollit evropian dhe po e forcon edhe më shumë reputacionin e tij ndërkombëtar. /Gazeta Express