Vedat Muriqi e ka arritur një tjetër moment vendimtar dhe historik në karrierën e tij.
Ylli kosovar arriti mbrëmë në kuotën e 50 golave të shënuar në La Liga me fanellën e Mallorcas, duke u bërë njëri prej golashënuesve më të rëndësishëm në historinë e klubit, shkruan “Gazeta Express”.
31-vjeçari realizoi me kokë në humbjen 1:2 nga Real Betisi, një gol i pamjaftueshëm për ekipin, por i veçantë për të pasi e arriti numrin jubilar në njërën prej ligave më të forta të futbollit evropian.
Që kur iu bashkua Mallorcas në vitin 2022, Muriqi është bërë figura kryesore e sulmit për ishullorët.
Statistikat zyrtare tregojnë se prizrenasi i ka luajtur më shumë se 130 ndeshje në La Liga me Mallorcan dhe i ka shënuar 50 gola në total, duke e krijuar një mesatare të qëndrueshme goli për ndeshje gjatë viteve.
Me këtë total, sulmuesi kosovar është golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e Mallorcas në La Liga, pas legjendës Samuel Eto’o, i cili ka 54 gola me këtë ekip, një rekord që Muriqi synon ta thyejë.
Ndër të tjera, ish-futbollisti i Rizesporit, Fenerbahçes e Lazios ka kaluar emra të mëdhenj si Juan Arango, duke u ngjitur lart në listën historike të golashënuesve të klubit.
Në sezonin aktual, Muriqi i ka shënuar 16 gola në La Liga, duke vendosur edhe rekorde personale dhe duke qenë një nga lojtarët më produktivë të kampionatit, me ç’rast gjendet vetëm prapa Kylian Mbappes në listën e realizatorëve më të mirë në Spanjë.
Muriqi njëherësh e theu edhe një rekord personal pasi më parë i kishte shënuar 15 gola maksimum brenda një sezoni në La Liga.
Ai është një sulmues i fuqishëm fizikisht, i njohur për golat me kokë dhe për prezencën e tij në zonën e rreptësisë.
Ardhja e Muriqit në këtë shifër u përmend edhe nga faqet zyrtare të La Ligës dhe të Mallorcas, të cilët e kanë përshkruar këtë arritje si një moment historik për klubin dhe lojtarin.
Vedat Muriqi nuk është vetëm njëri nga golashënuesit më të mirë aktualë të La Ligës — ai po futet me shpejtësi në historinë e Mallorcas.
Me 50 gola të shënuar, sulmuesi shtatlartë ka dëshmuar se është njëri nga lojtarët kyç të klubit dhe një ikonë e golit në futbollin spanjoll. /Gazeta Express