Zemra e Lauren Canaday ndaloi së rrahuri për plot 24 minuta pas një arresti të rëndë kardiak në shtëpinë e saj – dhe kjo përvojë pranë vdekjes ia zhduku frikën nga vdekja.
Ajo pësoi një arrest të papritur kardiak, ndërsa ndodhej në shtëpi. Bashkëshorti i saj dhe më pas ekipet e emergjencës i dhanë ndihmën e parë me masazh kardiak, por u deshën pothuajse 30 minuta për ta rikthyer në jetë.
Pas kësaj, Lauren kaloi nëntë ditë në kujdes intensiv, përfshirë dy ditë në koma.
Edhe pse kjo ishte një përvojë jashtëzakonisht e frikshme për familjen e saj, Lauren e përshkruan periudhën e pavetëdijes në mënyrë çuditërisht pozitive. Ajo thotë se, pasi u zgjua, nuk ndiente më frikë nga vdekja.
Pasi rifitoi vetëdijen, ajo tregoi se nuk kishte asnjë kujtim nga java para arrestit kardiak dhe kishte boshllëqe të mëdha në kujtesë për qëndrimin në spital. Madje, për një kohë kishte vështirësi edhe me gjëra bazike si të folurit dhe të shkruarit. Megjithatë, mjekët konfirmuan se nuk kishte dëmtime të përhershme dhe se funksionet e saj mendore ishin të paprekura.
Pavarësisht kësaj, Lauren thotë se diçka thelbësore tek ajo kishte ndryshuar pas kësaj përvoje.
Duke përshkruar ndjesinë e të qenit klinikisht e vdekur, ajo shpjegon se nuk pa as tunel dhe as dritë të fortë, siç përshkruhet shpesh, por përjetoi diçka krejt ndryshe.

“Më kujtohet vetëm një ndjenjë paqeje të thellë,” tha ajo. “Ajo paqe qëndroi me mua për javë të tëra pasi u zgjova.”
Sipas saj, kjo qetësi ishte aq e fuqishme, saqë ende e kujton sa herë që jeta bëhet e vështirë.
Ndonjëherë ajo kthehet edhe fizikisht në vendin ku u rrëzua në shtëpi, për të reflektuar mbi atë që ndodhi.
“Tani nuk kam më frikë nga vdekja,” tha ajo. “Edhe pse nuk pashë asgjë të qartë, nuk ndiej aspak shqetësim për të.”
Lauren beson se kjo përvojë e ndau jetën e saj në dy pjesë: para arrestit kardiak dhe pas tij.
“Më duket sikur jeta ime e parë përfundoi në shkurt,” tha ajo. “Dhe u zgjova në jetën time të dytë.”
Edhe pse ajo arriti të rikuperohej mjaftueshëm për të ecur, për të bërë shëtitje në natyrë dhe madje për t’u kthyer për pak kohë në punë, ajo thotë se nuk është ndier kurrë më si më parë.
Tashmë ajo ka një defibrilator të vendosur në gjoks, i cili, siç pranon vetë, i kujton vazhdimisht sa afër vdekjes ka qenë.
“Kur njerëzit më thonë se dukem mirë, më duket e çuditshme,” tha ajo. “Sepse unë nuk ndihem më si i njëjti person.” /GazetaExpress/