Një person, i cili muajin e kaluar kishte rënë nga kati i tretë në ndërtesën ku po punonte, ka ndërruar jetë më 21 korrik, konfirmuan nga Policia e Kosovës.
Nga Policia thanë se ngjarje kishte ndodhur në fshatin Gurrakoc të Istogut më 24 qershor, kur viktima kishte pësuar lëndime në vendin e punës.
Për shkak të lëndime të rënda, ai fillimisht ishte dërguar në spitalin rajonal të Pejës, e më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Nga Policia e Kosovës, në rajonin e Pejës, thanë për Radion Evropa e Lirë se sot në orët e pasdites janë njoftuar se ai kishte ndërruar jetë. Prokurori më pas ka urdhëruar që trupi i tij të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Njoftimi për këtë rast vjen disa orë pasi dy punëtorë të sektorit të ndërtimtarisë vdiqën teksa ishin duke punuar në një vendpunishte në Gjakovë.
Lidhur me rastin në Gjakovë autoritetet kanë ndaluar dy persona për 48 orë nën dyshimet se kanë kryer veprën penale “asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës më herët ka shprehur shqetësim, për siç ka thënë, kushtet e rënda me të cilat përballen punëtorët e ndërtimtarisë në punë.
Në Ligjin për siguri dhe shëndet në punë theksohet se siguria, trajnimi i punëtorëve, udhëzimet e duhura për përdorimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve dhe makinerive janë obligime që duhet t’i zbatojë secili punëdhënës për të punësuarit e tij.
Sipas raportit të Inspektoratit të Punës për vitin 2024, vitin që kemi lënë pas janë regjistruar shtatë raste të vdekjeve në vendet e punës./REL