Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve njoftojnë se sot në Spitalin Rajonal të Pejës, ka vdekur i burgosuri me inicialet T. Zh.
SHKK thekson se “i njëjti, për shumë vite me radhë, ishte trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si dhe në Spitalin Rajonal të Pejës, ku pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore ka ndërruar jetë”.
“Gjatë gjithë kohës, i burgosuri është trajtuar në kuadër të SHSKUK-së me mbi 100 vizita dhe hospitalizime që nga viti 2021. Si rrjedhojë, edhe gjatë qëndrimit në burg, pothuajse tërë kohën ka qenë i trajtuar në stacionarin e burgut”, vijon njoftimi.
“Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, SHKK kishte bërë kërkesë edhe për pezullimin e dënimit të tij per çka ishte refuzuar nga gjykata”, thuhet në njoftimin e SHKK.
“Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të përcaktojë shkakun e vdekjes”, përfundon njoftimi.