Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka dhënë lamtumirën legjendës së mundjes Hulk Hogan, duke reaguar në rrjetet sociale pas ndarjes nga jeta të ikonës së sportit dhe argëtimit amerikan.
Ai tha se kishte humbur një mik të shkëlqyer dhe e kujtoi me fjalë të ndjera.
Së bashku me një fotografi të përbashkët, Trump shkroi se Hulk Hogan ishte një “MAGA” në çdo mënyrë, një referencë për mbështetjen e tij të hapur ndaj fushatës dhe politikës së tij.
“Sot humbëm një mik të shkëlqyer, ‘Hulkster’-in. Hulk Hogan ishte MAGA në çdo mënyrë – i fortë, i ashpër, i zgjuar, por me zemrën më të madhe”, thuhet fillimisht në shkrimin e presidentit amerikan.
“Ai mbajti një fjalim absolutisht ‘elektrik’ në Konventën Kombëtare Republikane, e cila ishte një nga pikat kulmore të të gjithë javës”.
“Ai argëtoi fansa nga e gjithë bota dhe ndikimi kulturor që pati ishte i jashtëzakonshëm. Ne i dërgojmë urimet dhe dashurinë tonë më të ngrohtë gruas së tij Sky dhe familjes.
“Hulk Hogan do të na mungojë shumë!”, shkroi Trump.
Hulk Hogan, i lindur si Terry Gene Bollea, u gjet i vdekur në banesën e tij në Clearwater, Florida, herët dje ne mëngjes.
Ai e nisi karrierën në mundjen profesionale në vitin 1977, por u bë i famshëm globalisht pas nënshkrimit me Federatën Botërore të Mundjes (WWE) në dhjetor të vitit 1983.
Me karakterin e tij si “amerikani heroik”, ai ndihmoi që mundja të lulëzonte në vitet ’80, duke qenë figura kryesore në tetë nga nëntë edicionet e para të WrestleMania-s, ngjarjes më të madhe vjetore të WWE.