Vdekjet alarmuese në vendin e punës, Inspektorati e Sindikata me statistika të ndryshme për tragjeditë e kosovarëve - Gazeta Express
string(114) "vdekjet-alarmuese-ne-vendin-e-punes-inspektorati-e-sindikata-me-statistika-te-ndryshme-per-tragjedite-e-kosovareve"

Lajme

Gazeta Express

23/07/2025 16:01

Vdekjet alarmuese në vendin e punës, Inspektorati e Sindikata me statistika të ndryshme për tragjeditë e kosovarëve

Lajme

Gazeta Express

23/07/2025 16:01

Katër persona kanë vdekur brenda dy ditëve në Kosovë si pasojë e lëndimeve që kanë pësuar në vendet e tyre të punës. Për këtë vit, numri total i vdekjeve në vendin e punës është 7 sipas Inspektoratit Qendror të Punës. Kjo shifër u theksua pasi Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi që tha se sivjet në vendin e punës e kanë humbur jetën 18 persona. Avokati i Popullit ka thënë se nga viti 2004 deri në vitin 2021 janë evidentuar 232 vdekje të punëtorëve. Fajtorë për këto vdekje po konsiderohen punëdhënësit dhe Inspektorati i Punës.

Gazeta Express

Në Gjakovë më 21 korrik, dy persona derisa po punonin në një objekt kanë rënë nga lartësia. Ata s’kanë arritur t’i bëjnë ballë lëndimeve të marra.

Lidhur me rastin, janë arrestuar investitori dhe punëkryesi. Ndaj tyre tashmë është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit.

“Rr. Bardhyl Qaushi & Yllka Domi-Gjakovë 21.07.2025 – 08:00. Emergjenca e qytetit në Gjakovë ka lajmëruar se dy persona kanë marrë trajtim mjekësor pasi që dyshohet se kanë rënë nga një lartësi deri sa kanë qenë duke punuar në një punishte. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, prokurori kujdestar dhe inspektori i punës. Si pasojë e lëndimeve të dy viktimat kanë ndërruar jetë, vdekjen e të cilave e kanë konstatuar mjekët. Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë të cilët pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa trupat e pa jetë janë dërguar në IML për obduksion”, ka njoftuar Policia e Kosovës në raportin 24 orësh.

Po atë ditë vdiq edhe një person tjetër. Nga Policia thanë se viktima kishte pësuar lëndime në vendin e punës në fshatin Gurrakoc të Istogut më 24 qershor.

Ndërsa pasditen e 22 korrikut në qytetin e Skënderajt vdiq një punëtor 44-vjeçar.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rreth orës 16:00, është raportuar se një person ishte gjetur i shtrirë pa shenja jete në rrugën “17 Shkurti” në Skënderaj.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka thënë se kanë ngritur zërin për kushte më të sigurta pune, derisa shtojnë se kanë paralajmëruar për mungesën e kontrolleve efektive.

“Dhembja është e thellë, e rëndë dhe e hidhur, po nuk i kthen jetët. Ne si BSPK kemi ngritur zërin për vite me radhë për kushte më të sigurta pune, për dinjitet në vendin e punës dhe për ndaljen e abuzimit me djersën dhe jetën e punëtorëve. Kemi paralajmëruar për mungesën e kontrolleve efektive, për neglizhencën institucionale dhe për mungesën e përgjegjësisë nga ata që përfitojnë, por nuk mbrojnë.”

Ndërsa nga Inspektorati Qendror i Punës kanë thënë se subjekti ku ka ndodhur aksidenti në Gjakovë është gjobitur dy herë.

“Inspektorati Qendror i Punës është angazhuar me të gjitha kapacitetet e tij njerëzore dhe ligjore për të hetuar rrethanat e këtij rasti dhe për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që nuk kanë zbatuar detyrimet ligjore në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë. Ju informojmë se subjekti ku ndodhi aksidenti ka qenë më herët dy herë i gjobitur nga Inspektorati i Punës për shkelje të përsëritura në këtë fushë. Kjo e bën edhe më të papranueshëm faktin që nuk janë ndërmarrë masat e duhura për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve.”

Inspektorati ka thënë se në gjashtë mujorin e parë të vitit 2025 kanë kryer 4 mijë e 751 inspektime, kanë shqiptuar 788 gjoba dhe kanë ndodhur 268 aksidente.

Pasi pati raportime se 18 persona kanë vdekur në vendin e punës këtë vit, Inspektorati ka thënë se bëhet fjalë për 7 viktima.

“Ndërsa nga janari deri më sot kan ndodhur 7 aksidente me fatalitet dhe kjo është shifra zyrtare nga Inspektorati Qendror i Punës, të gjitha shifrat e tjera që ipen nga persona të tjerë të paautorizuar dhe jokompetent nuk janë të sakta dhe krijojnë pasiguri dhe dezinformojnë opinionin publikë.”

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut e ka kritikuar qeverinë për mungesë veprimi dhe neglizhencë sistematike ndaj kushteve të rrezikshme të punës, mungesës së pajisjeve mbrojtëse dhe mosfunksionimit të Inspektoratit të Punës.

“KMDLNj do të përkrahë çdo protestë të punëtorëve që kërkojnë kushte më të sigurta, sepse e drejta për jetë është e drejtë themelore e njeriut,” thuhet në reagim.

Nga Institucioni i Avokatit të Popullit kanë thënë se nga viti 2004 deri në vitin 2021 janë evidentuar 232 vdekje të punëtorëve.

“Avokati i Popullit, në kuadër të mandatit të tij kushtetues dhe ligjor, në vazhdimësi ka adresuar shqetësimet në lidhje me këtë çështje. Në raportin Ex officio Nr. 252/20211, të publikuar në shkurt 2024, është theksuar se prej vitit 2004 deri më 2021, janë evidentuar 232 vdekje të punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës ose si pasojë e kushteve të punës. Përkundër faktit që ky raport ka përfshirë rekomandime të qarta dhe të zbatueshme, autoritetet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë veprime të mjaftueshme për përmirësimin e gjendjes”, thuhet në reagim.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi që tha se sivjet në vendin e punës e kanë humbur jetën 18 persona, ka thënë se fajtor për numrin e madh të vdekjeve të punëtorëve janë punëdhënësit dhe Inspektorati i Punës, që nuk po kujdesen për kushtet dhe sigurinë në punë. /GazetaExpress/