Dje ka vdekur Shefik Pallaska, udhëheqësi i grupit legjendar “Ashikët”.
Familjarët kanë njoftuar se mbledhja komemorative do të mbahet sot nga ora 12:00 në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, homazhet nga ora 16:00 deri në 17:00.
Më pas, varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në ora 17:00 në varrezat e qytetit të Gjakovës.
Ndërsa Artan Bakija ka shkruar se i ndjeri s’ishte vetëm miku i babait të tij, por ishte “axhi Shefik”. Ai ka thënë se Pallaska pasionin e tij për artin e ktheu në jetë dhe jetën në art.
“Ka njerëz që nuk ikin. Ata shndërrohen në zë, në tingull, në kujtim. Shefika Pallaska nuk ishte thjesht miku i babës tim Zekë – ai ishte Axha Shefik, boemi i fundit i vërtetë, ai që jetoi me mandolinë në dorë dhe me këngën në shpirt. E themeloi grupin “Arshikët” dhe me ta, ringjalli aromën e këngëve të vjetra shqiptare, siç ringjallet gjaku në damarët e një kombi që refuzon të harrojë. Ai s’dinte të jetonte ndryshe: pasionin e tij për artin e ktheu në jetë, dhe jetën në art. Kishte një energji që nuk të linte indiferent, një zjarr që ndizte bashkëpunime – siç ndodhi edhe me mua, në tri këngë të përbashkëta dhe disa albume që i regjistrova me dorën në zemër. Sot s’mund ta qaj. Sepse ai nuk vdes. Ai thjesht pushon pak, që tingulli i mandolinës së tij të vazhdojë të na zgjojë përherë.”