Vdekja e Emiliano Salas: Cardiff u dërgon prokurorëve informata për përfshirjen e Nantesit - Gazeta Express

Sport

Gazeta Express

29/01/2020 9:55

Vdekja e Emiliano Salas: Cardiff u dërgon prokurorëve informata për përfshirjen e Nantesit

Sport

Gazeta Express

29/01/2020 9:55

Cardiff City ua ka dërguar disa dokumente prokurorëve francezë të rastit të Emiliano Salas për t’iu ndihmuar atyre në vendimin se nëse Nantesi do të përballet me procedura penale për vdekjen e ish-lojtarit të tyre.

Sulmuesi argjentinas vdiq në janar të vitit të kaluar, kur aeroplani me të cilin po udhëtonte drejt Uellsit u rrëzua, përderisa ai po e kompletonte transferimin e tij në Cardiff nga klubi i Ligue 1, Nantes, transmeton Gazeta Express.

Trupi i Salas u gjet në fund të detit, afër Ishujve të Kanalit Anglez, mbi dy javë pasi u zbuluan rrënojat e aeroplanit – përderisa trupi i pilotit David Ibbotson nuk është gjetur asnjëherë.

Cardiff dhe Nantes kanë qenë në luftë për shumën e transferimin – 17 milionë euro. Cardiffi argumenton se nuk ka nevojë t’ia paguajë Nantesit këtë shumë pasi që Sala nuk ishte ende lojtar i tyre zyrtarisht kur aeroplani u rrëzua.

Tani, klubi uellsian e ka kërkuar një hetim për të vendosur nëse klubi francez duhet të mbahet përgjegjës edhe në procedura kriminale.

“Gjatë 12 muajve të fundit, Cardiffi e ka bërë të qartë se ka nevojë për një hetim të plotë të të gjitha fakteve që çojnë deri te tragjedia”, ka thënë një zëdhënës i klubit uellsian.

“Jo vetëm për ta kuptuar plotësisht se çfarë e solli rrëzimin e aeroplanin Piper PA-46 Maliby, por për t’iu përgjigjur pyetjeve më të gjera që janë theksuar në këtë rast, veçanërisht lidhur me përdorimin e fluturimeve ilegale në industrinë e futbollit dhe rolin e ndërmjetësuesve në transferimin e lojtarëve”.

“Si rezultat i hetimit tonë, ne besojmë se ka mjaftueshëm dëshmi për keqbërje. Kjo e bën të nevojshëm një hetim nga autoritetet franceze për ata që janë përgjegjës për organizimin e transferimit nga ana e Nantesit dhe për organizmin e fluturimit”.

“Ne i kemi dërguar të gjithë informatat tona në Parquet de Nantes, për t’iu ndihmuar atyre në tentimin e tyre. Ne mbetemi të përkushtuar në vendosjen e fakteve të plota dhe e respektojmë çdo vendim përfundimtar mbi detyrimin tonë financiar në këtë transferim”.

Nantes, që vazhdimisht ka mohuar ndonjë keqbërje në vdekjen e Salas, vendosi që lojtarët e klubit të veshin fanella për nder të ish-lojtarit të tyre gjatë ndeshjes të së dielës kundër Bordeaux.

Të gjithë përfitimet nga fanellat e frymëzuara nga Argjentina u dërguan si donacion te dy klubet argjentinase për të cilat kishte luajtur Sala si i ri.

“Pasi që ai ëndërronte ta vishte fanellën e ekipit kombëtar të Argjentinës, lojtarët e Nantes do të largohen nga fanella tradicionale gjelbër e verdhë dhe do të mbajnë fanella bardhekaltër”, shkruhej në deklaratën e Nantesit.

“Kjo fanellë, përfitimet nga e cila do të dërgohen te dy klubet e fëmijërisë argjentinasi të Emilianos, është mënyra jonë për ta nderuar atë”. /Gazeta Express/