Saga e transferimit të Victor Osimhen vazhdon të zvarritet, me raportime të reja që tregojnë se Napoli ka kërkuar 20% të shumës nga shitja e ardhshme në marrëveshjen prej 75 milionë eurosh me Galatasaray.
Ashtu si verën e kaluar, e ardhmja e sulmuesit nigerian po mbizotëron në titujt e mediave, me shumë zhurmë dhe pak progres konkret. Situata ka arritur deri në atë pikë sa Osimhen ka dorëzuar një raport mjekësor për të shmangur pjesëmarrjen në përgatitjet parasezonale me Napolin.
Galatasaray ka pranuar të paguajë çmimin e plotë prej 75 milionë eurosh, por klubet po vazhdojnë të negociojnë mbi strukturën e pagesës.
Raportimet më të fundit tregojnë se Galatasaray ka ofruar 40 milionë euro menjëherë dhe 35 milionë në këste, por Napoli e ka refuzuar këtë ofertë.
Problemi tjetër është se Napoli kërkon që 35 milionët e mbetura të paguhen deri në fund të vitit 2026, si dhe kërkon përqindje nga shitja e ardhshme.
Sipas gazetarit italian Matteo Moretto, Napoli nuk lëshon pe, ndërsa në Turqi, Yagiz Sabuncuoglu raporton se përqindja që Napoli kërkon është 20% — një shifër e pazakontë për një lojtar me historikun e Osimhenit në merkato.
Sezonin e kaluar, Osimhen ishte në huazim te Galatasaray, ku shkëlqeu duke shënuar 37 gola dhe dhënë 8 asistime në 41 ndeshje zyrtare, çka e ka kthyer në objektiv absolut të klubit turk.
Ndërkohë, Napoli ka tentuar vazhdimisht ta bindë lojtarin të pranojë ofertën e Al-Hilal, por Osimhen vazhdon ta refuzojë kategorikisht çdo mundësi për të luajtur në Arabinë Saudite.
Situata mbetet e tensionuar, dhe për sa kohë palët nuk bien dakord për strukturën dhe kushtet e marrëveshjes, transferimi i Osimhen vazhdon të mbetet pezull, duke bërë që telenovela e kësaj vere të mos ketë ende një fund./GazetaExpress/