Me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria Publike, sot në sallën e gjyqit në Idrizovë pritet të vazhdojë procesi gjyqësor për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u plagosën.
Në seancën e kaluar para Gjykatës u dëgjuan dy dëshmitarë. Dëshmitari Trajçe Dimiçkovski, i cili nga viti 2023 deri në gusht 2025 ka qenë pjesë e agjencisë së sigurimit “Rubikon”, në dëshminë e tij përshkroi mënyrën e komunikimit mes të punësuarve, kush ishte përgjegjës për shpërndarjen e stafit, si dhe çfarë udhëzimesh jepte profesori Aleksandar Nacev gjatë ngjarjeve më të mëdha dhe ligjëratave për obligimet ligjore të sigurimit.
Më herët dëshmoi edhe një inspektor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim nga njësia rajonale në Vinicë, i cili tha se pas zjarrit në klubin “Puls” në Koçan, ekipi hetimor kishte konstatuar lëshime serioze – mungesë të aparateve kundër zjarrit, hidrant bosh dhe një derë ndihmëse të mbyllur.
Inspektori theksoi se Komuna e Koçanit për më shumë se një dekadë nuk kishte pasur inspektor për mbrojtje dhe shpëtim, ndërsa për mbikëqyrje në një komunë tjetër nevojitet urdhër me shkrim nga drejtuesit.
Zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan shpërtheu më 16 mars 2025, gjatë një performance të grupit DNK dhe konsiderohet një nga tragjeditë më të rënda në historinë e re të vendit.
Me seancën e sotme vazhdon procedura e provave, me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria, e cila përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë.
tag_katrorimaqedoni_2