Vazhdojnë gjysmëfinalet e Kupës së Kosovës, sot Ballkani – Feronikeli - Gazeta Express
string(66) "vazhdojne-gjysmefinalet-e-kupes-se-kosoves-sot-ballkani-feronikeli"

Vazhdojnë gjysmëfinalet e Kupës së Kosovës, sot Ballkani – Feronikeli

Gazeta Express

03/06/2020 8:12

Pritja e gjatë për ndeshje të futbollit të drejtpërdrejta në Kosovë mori fund të martën, kur Prishtina dhe Drenica u takuan në “Fadil Vokrri”. Ndërsa, tifozët tani do të vazhdojnë të argëtohen me ndeshje tjetër edhe sot, kur takohen Ballkani me Feronikelin.

Pas fitores bindëse të Prishtinës me rezultat 3:0 kundër Drenicës, Ballkani do ta presë sot në orën 16:00 në Suharekë skuadrën e Feronikelit për ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Pa tifozë të pranishëm në stadium, Ballkani, që këtë sezon ka shfaqur formë më të mirë sesa kundërshtari, do të tentojë ta dëshmojë veten kundër kampionit në fuqi të kësaj gare, Feronikelit, që sezonin e kaluar i mori dy trofetë e mëdha të futbollit kosovar.

E përkundër që Feronikeli është kampioni në fuqi i kësaj gare, Ballkani në letër mbetet skuadra më favorite shkaku i formës më të mirë që ka shfaqur gjatë sezonit. Megjithatë, kjo gjë mund të ndryshojë sot, pasi që lojtarët nuk kanë luajtur që gati tre muaj dhe gjithçka do të varet nga përgatitjet që i kanë bërë dy skuadrat.

Ballkani me Feronikelin u takuan në javën e dytë të këtij sezoni të Ipko Superligës së Kosovës. Djemtë e Ismet Munishit e fituan atë ndeshje me rezultat 3:1, falë dy golave të Blend Baftiut dhe golit të Besnik Krasniqit, ndërsa golin e vetëm për drenicasit e shënoi Haxhi Neziraj.

Në javën e 13-të u zhvillua përballja e dytë mes Feronikelit dhe Ballkanit, këtë herë në Drenas. Edhe këtë herë, heroi i klubit nga Suhareka ishte Baftiu, i cili i shënoi dy golat e ndeshjes.

Ballkani do të tentojë ta vazhdojë këtë ecuri të fitoreve kundër kampionit në fuqi të Kosovës sot, në tentim për të mbetur në garë edhe për Kupën e Kosovës e edhe për Ipko Superligën. /Gazeta Express/